Pyetja bezdisëse, sa e keni pagën?

Prishtinë | 09 Nën 2024 | 00:26 | Nga Ekonomia Online

Ju pyet një intervistues pune. Ju nervozoheni në çast, pa ditur si të përgjigjeni. Ky është një skenar i zakonshëm dhe i sikletshëm në një intervistë pune. Në fakt, në disa vende nuk është më e ligjshme që një aplikues pune të pyetet për pagën e tij të mëparshme.

Por, për sa kohë që çështja debatohet ende, është më mirë që të jeni të përgatitur për përgjigjen.

Disa mund t’ju këshillojnë që t’i bëni bisht pyetjes ose të jepni një shifër të përafërt për të shmangur shifrën e saktë. Sipas Suzy Welch, autores së mirënjohur të shumë librave bestseller mbi menaxhimin dhe kontribuuese e CNBC, mënyra më e mirë për të siguruar vendin e punës në një kompani të re dhe për të përparuar në karrierën tuaj, është thjesht duke thënë të vërtetën.

“Njerëzit do t’ju thonë që duhet ta manipuloni bisedën”, thotë Welch për programin Make it të CNBC, “apo që duhet t’i bëni bisht pyetjes duke folur me përafërsi. Por nuk është kjo mënyra e duhur për të nisur një marrëdhënie”.

Sipas saj, ia vlen barra qiranë, të thoni pagën tuaj. Nëpërmjet dy hapave, Welch ju këshillon sesi t’i përgjigjeni kësaj pyetjeje me spec:

1. Njihni vlerën tuaj në treg

Të diskutosh pagën në një interviste punë “do të thotë të ecësh në një tokë të minuar”, shprehet Welch. “Për të dalë me sukses, së pari duhet të dini pozicionin tuaj”,

“Tregohuni të zgjuar dhe bëni kërkime”, thotë ajo. “Interesohuni sa është paga e përafërt e punës dhe sa të vlefshme janë aftësitë tuaja në tregun e hapur.”

Faqe si PayScale, Glassdoor apo Linkedln Salary mund t’ju ndihmojnë të dini sa duhet të jetë paga për një punë të caktuar dhe ju tregon “nëse po fitoni mbi apo nën kushtet e tregut”, thotë ajo. Mund të zbuloni se po paguheni më pak se ç’duhet, gjë që mund të ndodhë nëse keni kohë që punoni në kompaninë tuaj apo nëse jeni punësuar me një pagë të ulët. Ju mund ta gjeni veten edhe në situata të pazakonta ku paguheni më shumë se sa duhet.

Gjithsesi, për një intervistë pune ju duhet të jeni të përgatitur me informacion konkret për gjendjen tuaj të tanishme.

2. Tregojeni pagën tuaj të tanishme dhe arsyetoni me argumente

Pasi ta dini si krahasoheni me njerëz me punë të ngjashme, jini të ndershëm për pagën tuaj të tanishme, thotë Welch.

Në këtë mënyrë, ju tregoni se jeni të sinqertë dhe keni integritet. Mund të jepni përgjigjen, “Paga ime është X, shpërblimi është zakonisht Y, që afërsisht bëjnë shumën totale prej vetëm Z”.

Pasi ta keni treguar shifrën, argumentoni në favor të vetes. “Mund të jepni arsye bindëse se pse do të ishit i gatshëm të paguheshit më pak për hir të mundësive apo rritjes në të ardhmen, apo pse duhet të paguheni më tepër”, thotë ajo. Pasi ta keni shtruar argumentin, nuk ju mbetet gjë tjetër veçse të prisni për të parë si do të përgjigjet menaxheri intervistues – dhe nëse ai ju trajton me konsideratë.

“Nëse punëdhënësi juaj i mundshëm përpiqet t’ju manipulojë gjatë kësaj bisede, kjo është një shenjë paralajmëruese”, – thotë ajo. “Mos e shpërfillni.”/

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme