Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka mbledhur anëtarët e saj për të shqyrtuar vendimin e Gjykatës Supreme në lidhje me vendimin e Gjykata Supreme për numërimin e 4 mijë e 639 votave nga diaspora, raporton EkonomiaOnline.
Pas mbledhjes e cila zgjati rreth 4 orë, PZAP-ja nuk ka treguar se cili ka qenë vendimi përkitazi me votat nga diaspora.
Fejzullah Rexhepi, anëtar i PZAP-it, ka thënë se në lidhje me vendimin së pari do të njoftohen palët ankuese, këtë rast siç është Lëvizja Vetëvendosje, e më pas do të njoftohet opinioni.
“Paneli Zgjedhor ka marrë vendim në lidhje me ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje sa i përket votave nga jashtë vendit për të cilat nuk janë numëruar në Qendrën e Numërimit. Sa i përket vendimit, është marrë vendimi mirëpo nuk është marrë në formën e shkruar, kështu që deri sa të përpilohet në formën e shkruar, nuk do ta komunikojë sot se cili është vendimi mirëpo shumë shpejtë brenda ditës së sotme do të dalë edhe në formën e shkruar”, ka thënë ai.
Thotë se fillimisht me këtë vendim do të njoftohet pala e ankesës, e më pas vendimi do të bëhet publik gjatë ditës së sotme.
“Pikërisht për shkak se është rregull se të njoftohen subjekti i cili ka parashtru këtë ankesë, fillimisht njoftohen palët që janë në procedurë, pastaj edhe mediet edhe opinioni”, ka thënë ai.
Gjatë së premtes Gjykata Supreme e Kosovës ka miratuar ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje, për numërimin e votave të mërgatës.