Në Aeroportin Ndërkombëtarë të Prishtinës, ka mbërritur pjesëtari i Policisë së Kosovës, Artur Marsori, i cili ishte në Turqi për mjekim, pas plagëve që kishte marrë gjatë një operacioni të zhvilluar në Zhur të Prizrenit.
Për ta pritur atë, përveç familjarëve kishte dalë edhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Reshat Qalaj dhe anëtarë tjerë të menaxhmentit të Policisë.
Qalaj tha se janë të lumtur që Marsori i është kthyer në gjendje të mirë, familjes dhe Policisë së Kosovës.
Ai tha se ata do të vazhdojnë kujdesin ndaj tij, sipas këshillave të mjekëve.
Qalaj bëri të ditur se shpenzimet për mjekimin e pjesëtarit të Policisë, janë paguar nga Qeveria e Kosovës dhe Fondi i Policisë, ndonëse nuk tregoi se sa ka kushtuar ky mjekim.
“Në rastin në Prizren, kemi pasur një rast tragjik ku kemi humbur një pjesëtarë të PK dhe dy të plagosur. Marsori pas marrjes së trajtimin në Kosovës, ka pasur nevoje të mjekohet jashtë vendit, dhe mendojë se trajtimi i është bërë mjaft mirë”.
“Pagesa është bërë nga Qeveria e Kosovës, dhe nga Fondi i Policisë së Kosovës. Jam shumë i lumtur që i është kthyer familjes dhe Policisë së Kosovës”, tha Qalaj.
Marsori kishte marrë lëndime të rënda gjatë kryerjes së detyrës së një operacioni në Zhur të Prizrenit më 28.01.2020, ndërsa për mjekim në Turqi ishte dërguar më 31.01.2020.
E babai i Arturit, Ganimet Marsori, tha e është shumë i gëzuar që djali i tij është kthyer pranë familjes.
“Ky është gëzimi më i madh në jetën time për arsye se kur para shtatë muajsh kur kam shkuar në Stamboll ka qenë dhimbje shumë e madhe sepse kemi përjetuar lloj-lloj raste. Dua t’i falënderoj gjitha institucionet që në momentin kur ka shkuar për Turqi, kanë bërë të pamundurën për përkujdesin ndaj tij.
“Gjendja e tij është e mirë dhe në momentin sa ka qenë në kujdes intensiv, janë përkujdesur shumë dhe falë tyre gjendja e tyre është mirë”, tha ai