Qarkullimi në industrinë e drurit pati rënie për 40%, shumë punëtore deri në fundvit do të mbesin pa punë

Prishtinë | 01 Nën 2020 | 08:18 | Nga Resmije Ballazhi-Jahiri Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kriza e shkaktuar nga pandemia ka prekur edhe sektorin e përpunuesve të drurit në Kosovë .Si pasojë e kësaj situate qarkullimi në këtë industri ka pasur rënie 40 për qind, ndërsa që rreth 20 për qind e punëtorëve në këtë sektorë deri në fund të vitit do mbesin papunë, raporton Ekonomia Online.

Këtë e ka bërë të ditur Drejtoresha Ekzekutive e Shoqatës së Përpunuesve të Drurit, Arieta Vula-Pozhegu, e cila tregon ndër të tjerash se pakoja për rimëkëmbje mund ta zbusë situatën e krijuar tek bizneset. 

“Ne në bazë të hulumtimeve dhe kontakteve me  kompanitë ne e konsiderojmë që afër  20 përqind e punëtorëve do të jenë deri në fund të vitit të larguar nga puna, mirëpo ndoshta me një  nxitje apo shtytje që mund të ndodhë, ne  po shpresojmë që ky numër të ngelet sepse kemi akoma  iniciativa të kompanive të tjera të reja  që kanë filluar në këtë  vit me investime të reja si kompani të industrisë së drurit dhe janë duke ndodhur momentalisht  ata kanë planifikuar dhe kanë investuar, kështu që  kjo mund ta plotësojë këtë ngecje të punësuarve në këtë sektor”, shprehet ajo.

Sipas saj, qarkullimi në këtë sektor ka rënë 40 përqind. Ndërsa, humbja në këtë sektor, ka arritur deri në 40%.

“Qarkullimi i industrisë së drurit në vend ka pasur rënie prej 40%, kjo varion varësisht prej kohës ku ne po e kryejmë një hulumtim, tash  duhet ta shikojmë këtë tre mujorin si do të jetë, por ka pasur rënie”, thotë ajo.

Vula-Pozhegu, gjithashtu, është duke kërkuar nga institucionet përkatëse, që ndryshojë ligji i prokurimit.

Ajo ndër të tjerash, thotë se edhe Bankat Komerciale në rast se do t’i kishin normat e interesit më të ulëta dhe “Grejs” periudha të ishte më e gjatë do të mund të ju ndihmonte industrisë së drurit.

INTERVISTA E PLOTË:

EO: Cilat kanë qenë vështirësitë më të mëdha te kjo industri, sa ka ndikuar pandemia tek kjo industri?

Vula-Pozhegu: Janë dy kriza, virusi dhe mbyllja. Pavarësisht që industria e drurit, sipas kodeve të veprimtarisë ka qenë e liruar të punojë edhe në muajin Mars-Prill, në anën tjetër ka qenë fushata që rrini në shtëpi  dhe punoni nga shtëpia. Mirëpo, kjo industri është e pamundur puna nga shtëpia. Kemi pasur hezitim nga punëtorët që të shkojnë në kompani dhe të punojnë dhe kjo është toleruar nga ana e ndërmarrjeve dhe është mirëkuptuar. Kjo ka qenë pengesa e parë, pengesa e dytë ka qenë kriza  psikologjike që ndodhë te konsumatori, në momentin që fillon një  krizë në rastin konkret virusi apo kemi pasur vitin 2008 krizën ekonomike do të thotë, automatikisht konsumatori është ai i cili e konsideron veten  që ti ruajë mjetet sepse është një kohë krize dhe prodhimet e mobilierisë apo  dyert dhe dritaret, janë produkte jo ekzistenciale këto produkte hyjnë në produktet  e luksit e cila lidhet edhe me sektorin e ndërtimit e cila është një zinxhir kështu që i kemi këto faktorë që kjo industri të ketë rënie dhe ka pësuar gjatë kësaj periudhe.

EO: Pakoja për Rimëkëmbe ekonomike, çfarë mendoni ju, sa do t’i ndihmojë bizneset?

Vula-Pozhegu: Pakoja për rimëkëmbje ekonomike, është një pako e cila  është dizajnuar apo projektuar në bashkëpunim qoftë prej Qeverisë apo asistimit të Organizatave apo Shoqatave të bizneseve apo Odës Ekonomike, në mënyrë që ti ndihmohet  biznesit në këtë kohë pandemie. Ajo është një pako, që pa mar parasysh ndoshta defetktet që ajo i ka, normalisht  do të ndikojë në rimëkëmbjen ekonomike. Sepse konsiderohet që ai buxhet, ato mjete do të qarkullojnë brenda Kosovës. Kështu qe efekti i saj do të jetë pozitiv. Kjo pako qysh do që është përpiluar, më mirë është të votohet më shpejte dhe të fillojë implementimi.

EO: A ka biznese të sektorit të përpunimit të drurit të cilët janë mbyllur për shkak të situatës që është krijuar?

Vula-Pozhegu: Kjo situatë ka sjellë normalisht situatën asisoj deri të mbyllja e ndonjë ndërmarrje, mirëpo në një takim të përbashkët të kompanive  të industrisë së drurit që ne i përfaqësojmë jemi dakorduar dhe janë pajtuar kompanitë, që pamarrparasysh që ky vit do të jetë me humbje për kompanitë do të ishte  e mjaftueshme që të gjenerojë të ardhura sa për t’i mbuluar shpenzimet dhe punëtorët ekzistues që i kanë.  Sepse resursi më i madh në një kompani të drurit si kompani prodhuese është faktori njeri. Prandaj  këto kompani kanë investuar shumë që këtë staf ta trajnojnë dhe ta mësojnë për vendin e punës do të ishte një humbje shumë e madhe për  ata nëse e humbin punëtorin në raport me financat të cilat këtë vit nuk do të jenë të mjaftueshme.

EO: Sa punëtorë janë larguar nga puna nga ky sektor për shkak të kësaj situate?

Vula-Pozhegu: Ne në bazë të hulumtimeve dhe kontakteve me kompanitë ne e konsiderojmë që dikund  20 përqind e punëtorëve do të jenë deri në  fund vit të larguar nga puna, mirëpo ndoshta me një nxitje apo shtytje që mund të ndodhë, ne po shpresojmë që ky numër të ngelet sepse kemi akoma  iniciativa të kompanive të tjera të reja  që kanë filluar në këtë  vit me investime të reja si kompani të industrisë së drurit dhe janë duke ndodhur momentalisht  ata kanë planifikuar dhe kanë investuar, kështu që  kjo mund ta plotësojë këtë ngecje të punësuarve në këtë sektor. Ne, në bazë të  informacionit tonë, jo përmes ARBK-së, që janë të regjistruara, por po flasim si anëtarë të kompanisë ne i kemi në  proces që janë të reja 7 kompani të cilat kanë bërë investime jashtëzakonisht  të mëdha me linja prodhimi që disa kanë filluar punën testuese dhe prodhuese, kurse të tjerat janë në proces.

EO: Në këtë kohë që po flasim, sa ka rënie në të hyrat e bizneseve të këtij sektori?

Vula-Pozhegu: Qarkullimi i industrisë së drurit në vend ka pasur rënie prej 40%, kjo varion varësisht prej kohës ku ne po e kryejmë një hulumtim, varësisht kjo është variabile, tash duhet ta shikojmë këtë tre mujorin si do të jetë, por ka pasur rënie.

EO: Ju si përfaqësuese e kësaj industrie, cilat janë kërkesat e juaja ndaj Qeverisë?

Vula-Pozhegu: Kërkesat tona janë që të përkrahen prodhuesit konkretisht, mbështetja apo subvencion për kompanitë eksportuese, të ketë normal komisione që kanë me përzgjedhur kompani të caktuara në projekte që  do të shpërndahen të jemi shumë të kujdesshëm  dhe Qeveria  të jetë transparente në përzgjedhjen e këtyre kompanive. Pastaj, jo vetëm ne si shoqatë, por edhe shoqatat e tjera prodhues, klubi i bizneseve jemi bashkuar dhe jemi duke avokuar tek institucionet tona në mënyrë  që edhe ligji i prokurimit të ndryshojë. Sepse, 93% të tendereve që jepen në Kosovë  që kap një vlerë deri në 1 miliardë ato shpërndahen tek tregtarët apo një operator ekonomik që është i regjistruar në Kosovë. Mirëpo, jo te prodhuesit  apo të shërbimeve që i përfshin IT-të mediat. Kështu  që ne jemi duke avvokuar në këtë princip që ky ligj  për shkak të pandemisë për tri vite të mbështesë  prodhuesin vendorë në raste kur konkurrojnë  në tenderë shtetërore, sepse, këtë praktikë e ka bërë edhe  Bosnja dhe vendet e tjera në mënyrë që paraja të qarkullojë brenda vendit dhe mos të japin kontrata jashtë vendit. Kërkohet ndryshim në projektligj  qoftë në rregullore të caktuara në mënyrë që kjo të implementohet  në mënyrë që të rritet një qarkullim i madh si përfituese të jetë prodhuesit e Kosovës  në mënyrë që të kemi një rritje prej 30% në këtë drejtim, që këto mjete të qarkullojnë brenda vendit.  Ne kemi biseduar me kryeparlamentarën dhe me akterë të ndryshëm në mënyrë që ta marrim pëlqimin që kur të vije ky  ligj, po ky  ndryshim i projektligjit të marrim miratimin e tyre.

EO: Janë paralajmëruar masa të rrepta, madje është aluduar se mund të ketë mbyllje totale, në fund të nëntorit, ju çfarë mendoni, në rast se ndodhë një gjë e tillë, çfarë do të ju ndodhë bizneseve dhe vendit?

Vula-Pozhegua: Kosova si një vend i vogël me një treg të vogël të kapacitetit blerës, ne këtë mundemi me parapa vetëm si një krizë ekonomike, për shkak se çdo ndalim, qofte edhe ajo që neve na ka ndodhur për  dy muaj që kemi qenë të izoluar, pasojat janë sot. Nëse ndodhë edhe një herë, kriza do të jetë aq e madhe sa viti 2021 nëse edhe dy muaj ndodhë këso mbylljesh, nëse këtë vit kompanitë kanë pasur rënie 40%, vitin e ardhshëm 60% do të ketë rënie të qarkullimit dhe shitjes e produkteve në vend. Normalisht ne jemi për ti respektuar të  gjitha masat, por shpresojmë që kjo të mos të ndodhë, sepse jeta vazhdon dhe  ne duhet të punojmë, të ketë masa parandaluese, por jo izolime. 

Të ngjashme