Ligji i miratuar nga Kuvendi i Kosovës për ndryshimin e ligjit për Gjykatën Speciale nuk ka për qëllim zhbërjen e kësaj gjykate. Kosova e respekton obligimin e saj ndërkombëtar për të mbajtur këtë gjykatë. Me këtë ligj Kosova thekson se respekton obligimet e saj sipas të drejtës ndërkombëtare për të hetuar dhe gjykuar të gjitha dyshimet dhe pretendimet për krime të luftës dhe krime të njerëzimit. Mirëpo, me këtë ligj Kosova qartëson se këtë e bën për aq sa ka me të vërtetë obligime ndërkombëtare dhe duke e respektuar Kushtetutën e Republikës së Kosovës, asgjë më shumë dhe asgjë më pak. Ligji i miratuar nga Kuvendi i Kosovës vetëm kufizon dhe qartëson kompetencën e Gjykatës Speciale duke marrë parasysh saktësisht obligimet ndërkombëtare që i ka marrë përsipër Kosova. Deklaratat e fundit nga Bashkimi Evropian, sipas të cilave ky ligj përbën një shkelje të Letërkëmbimit të vitit 2014 dhe obligimeve ndërkombëtare të Kosovës, kërkojnë një përgjigje të matur, por të qartë juridike. Pretendimet e BE-së nuk janë të sakta, madje nuk janë as të sinqerta.
E vërteta është e thjeshtë. Kufizimi i kompetencës së Gjykatës Speciale në pretendimet specifike të ngritura në Raportin e Këshillit të Evropës të vitit 2011, i njohur si Raporti i Dick Marty, dhe mbrojtja e kontrollit kushtetues vendor nuk përbëjnë shkelje të marrëveshjes me BE-në për themelimin e Gjykatës Speciale. Përkundrazi, kufizimi i kompetencës së kësaj gjykate në pretendimet specifike të ngritura në Raportin e Dick Marty paraqesin kthimin në qëllimin origjinal dhe autentik të kësaj marrëveshje, duke mos lejuar një devijim të paautorizuar përtej asaj për çfarë është zotuar Kosova.
Për të kuptuar natyrën dhe vëllimin e obligimit ndërkombëtar të Kosovës, duhet kujtuar zanafilla përse është kërkuar themelimi i Gjykatës Speciale. Në janar të vitit 2011, menjëherë pas miratimit të Raportit të Dick Marty-t nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës, misioni i BE-së, EULEX, doli publikisht duke theksuar se i merrte këto pretendime shumë seriozisht. EULEX-i theksoi shprehimisht se kishte kapacitetin dhe kompetencën për trajtimin e këtyre pretendimeve dhe bënte thirrje që të paraqiteshin fakte dhe dëshmi konkrete lidhur me këto akuza specifike.
Kur në gusht të vitit 2011 u themelua Task-Forca Speciale Hetimore (Special Investigative Task Force – SITF) dhe prokuror kryesor u emërua Clint Williamson, mandati i saj u kufizua në një hetim të pavarur penal të pretendimeve konkrete të përfshira në Raportin e Dick Marty. Fjala ishte vetëm për pretendimet dhe dyshimet mbi trafikimin e paligjshëm të organeve njerëzore dhe trajtimin çnjerëzor të kryera kinse në disa qendra kryesisht në veri të Shqipërisë. Ky ishte shkaku kryesor diplomatik dhe politik që mobilizoi Brukselin dhe ShBA dhe të cilët detyruan Kosovën të pranonte një trupë të tillë. Asokohe, askush në BE dhe ShBA nuk fliste për ngritjen e një gjykate që do të gjykonte mbi të gjithë luften e viteve 1998–2000 edhe jashtë pretendimeve specifike të ngritura në Raportin e Dick Marty.
Kur Presidentja Jahjaga dhe Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Catherine Ashton, shkëmbyen letrat më 14 prill 2014, që më pas u ratifikua nga Kuvendi i Kosovës si marrëveshje ndërkombëtare (Ligji Nr. 04/L-274), por jo edhe nga BE, elementet e marrëveshjes ishin të qarta. Gjykata Speciale do të përdorej vetëm për procedurat gjyqësore “që dalin nga hetimi i SITF” (arising from the SITF investigation). Kjo do të thot se kompetenca e Gjykatës Speciale është derivat i fushëveprimit të autorizuar hetimor të SITF-së, i cili ishte i kufizuar në pretendimet specifike të ngritura në Raportin e Dick Marty, e jo për tërë luften e UÇK-së.
Reklamë
Në bazë të Konventës së Vjenës për të Drejtën e Traktateve, çdo marrëveshje ndërkombëtare duhet të interpretohet me mirëbesim, në përputhje me kuptimin e zakonshëm të shprehjeve, në dritën e kontekstit, si dhe të “objektit dhe qëllimit” të saj. Qëllimi i Letërkëmbimit të vitit 2014 nuk ka qenë asnjëherë krijimi i një gjykate paralele të përgjithshme që imiton Tribunalin e Hagës për ish-Jugosllavinë (ICTY), apo që bën një revizion të gjetjeve të Tribunalit të Hagës, por ishte trajtimi i pretendimeve specifike të ngritura në raportin e Dick Marty-t në të cilat ishte i kufizuar edhe hetimi i SITF.
Kur Gjykata Speciale e gjykon tërë UÇK-në si “ndërmarrje të përbashkët kriminale”, gjë që Tribunali i Hagës i themeluar nga Kombet e Bashkuara e ka hedhur poshtë, dhe këtë e bën për veprime në lokacione të cilat as nuk përmenden në Raportin e Dick Marty, atëherë kemi të bëjmë me një tejkalim substancial të pëlqimit të cilin e ka dhënë Kosova për themelimin e Gjykatës Speciale. Rrjedhimisht, qartësimi i kompetencës së Gjykatës Speciale përmes ndryshimit të ligjit nuk e shkel marrëveshjen e vitit 2014, por ndalon tejkalimin e asaj për çfarë është zotuar Kosova kur e ka pranuar Letërkëmbimin e vitit 2014. Parimi ndërkombëtar pacta sunt servanda kërkon zbatimin besnik të asaj që palët janë marrë vesh, dhe nuk shërben për të arsyetuar kërkesat e BE-së që dalin përtej vullnetit të Kosovës të shprehur në këtë marrëveshje.
Përveç kësaj, në të drejtën ndërkombëtare publike ekziston parimi themelor që kufizimet ndaj sovranitetit shtetëror nuk mund të prezumohen (parimi Lotus). Gjyqësia penale është një prej elementeve kryesore të sovranitetit të një shteti. Kur një shtet delegon një pjesë të juridiksionit të tij penal te një trupë, e cila në thelb është e huaj, ky delegim duhet të interpretohet gjithmonë në menyrë të ngushtë. Nëse ka dyshime për vëllimin e delegimit, ky dyshim duhet të interpretohet në favor të sovranitetit shtetëror.
Në marrëveshjen e vitit 2014 Kuvendi i Kosovës nuk ka hequr dorë nga juridiksioni i përgjithshëm mbi krimet e luftës, i cili sipas Kushtetutës i takon gjykatave të rregullta të Kosovës. Zgjerimi i kompetencave të Gjykatës Speciale përtej pretendimeve specifike të shprehura në Raportin e Dick Marty ndërhyn në kompetencën e gjyqësorit të rregullt të garantuar me Kushtetutë dhe shkel parimin e “gjykatës së themeluar me ligj” dhe parimin e qartësisë ligjore të garantuara me Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Kosova nuk po kërkon t’i ikë asnjë obligimi ndërkombëtar që ka marrë përsipër. Kosova ka dëshmuar pjekuri politike, besim te partnerët ndërkombëtarë dhe në drejtësinë ndërkombëtare kur i ka deleguar BE-së kompetenca specifike gjyqësore për akuza specifike. Por partneriteti ndërkombëtar nuk mund të ndërtohet mbi bazën se BE ka të drejtë të tejkalojë vullnetin sovran të Kosovës të kufizuar shprehimisht në pretendimet e ngritura në Raportin e Dick Marty dhe të drejtojë në trupë gjyqësore që gjykon dhe kriminalizon tërë luftën e Kosovës, pa marrë parasysh argumetet shterpe dogmatike se gjykimet kanë të bëjnë me përgjegjësinë individuale.
Marrëveshja e vitit 2014 ishte një marrëveshje me karakter special dhe të kufizuar, jo një heqje dorë pa kushte nga sovraniteti gjyqësor. BE duhet t’i kujtojë deklaratat e veta të vitit 2011 kur e ka themeluar SITF dhe zotimet e vërteta të Kosovës në marrëveshjen e vitit 2014. Përveç kësaj, ka një dyftyrësi te BE kur thirret në obligime ndërkombëtare, të cilat BE vet kurrë nuk i ka ratifikuar si të tilla. Në fakt, BE duhet të sqarohet përse ia ka imponuar një ligj i cili i ka dhënë Gjykatës Speciale kompetenca përtej asaj për çfarë janë pajtuar Kosova dhe BE në marrëveshjen e 2014 lexuar në kontekst dhe në dritën e qëllimit të kësaj marrëveshje. Vet Paneli Kushtetues i Gjykatës Speciale ka pohuar se kompetenca e Gjykatës Speciale nuk është e përcaktuar as me Kushtetutë e as në Letërkëmbimin e vitit 2014, por vetëm në ligjin të cilin e ka shkruar BE dhe ia ka imponuar Kosovës me presion politik dhe diplomatik. Kërkesa e Kuvendit të Kosovës që kompetena e Gjykatës Speciale të kufizohet në pretendimet specifike të ngritura në Raportin të Dick Marty-t dhe sipas mandatit të SITF të caktuar nga vet BE nuk është pra shkelje e marrëveshjes. Përkundrazi, është mënyra e vetme për të respektuar legjitimitetin e kësaj gjykate dhe për të mbrojtur parimin e sundimit të ligjit dhe Kushtetutën e Kosovës. Por kjo kërkon një veprim të koordinuar shtetëror, dhe miratimi i ligjit është vetëm hapi i parë. Përfundimisht, po e theksoj, miratimi i ligjit nuk ka për qëllim t’i bëjë favore ndonjë individi, por është për të mbrojtur dinjitetin sovran të Kosovës. Nëse dikush dënohet në emrin tonë, le të dënohet brenda asaj për çfarë si sovran e kemi dhënë pëlqimin