Këshillit Prokurorial të Kosovës nuk i duhet një kundërshtar i jashtëm për t’ia cenuar pavarësinë dhe paanshmërinë.
Kjo pavarësi, sipas ekspertëve të drejtësisë, tashmë është duke u cenuar dhe rrënuar prej brenda nga vetë udhëheqësit e sistemit. Organi i akuzës vazhdimisht është pandehur për lidhje me të fortët e politikës dhe dështim në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, shkruan sot Koha Ditore.
Kritikat e vazhdueshme të Lëvizjes Vetëvendosje se kryeprokurori i Shtetit është kapur nga politika, do të kulmojnë me organizimin e një proteste të premten. Për VV-në, me Aleksandër Lumezin në krye të Prokurorisë, shteti i Kosovës nga Republikë është shndërruar në “Lepurblikë”. Ndërkaq, Këshilli Prokurorial ka shprehur indinjatë për, siç kanë thënë, gjuhën “denigruese, propaganduese, ofenduese dhe kërcënuese të Vetëvendosjes”. Sipas tyre, kjo ka marrë përmasa tendencioze dhe synon cenimin e integritetit, pavarësisë dhe dëmtimin e imazhit të sistemit prokurorial.
Por përfaqësues të organizatave që mbikëqyrin punën e Prokurorisë thonë se integritetin dhe kredibilitetin e këtij institucioni i ka dëmtuar rëndë zbatimi i politikave selektive në raport me vetë prokurorët brenda sistemit.
Ehat Miftaraj është drejtor ekzekutiv në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD). Sipas tij, mënyra më e mirë për të mbrojtur sistemin prokurorial nga ndërhyrjet dhe ndikimet e jashtme nga kushdo qoftë, apo ato të brendshme, është qeverisja e këtij institucioni me sistemin prokurorial në mënyrë të pavarur, të paanshme dhe të drejtë.