Njohësi i arsimit, Rinor Qehaja ka thënë se nuk ka ndonjë bllokadë të buxhetit për shkollat në Prishtinë, ashtu siç edhe ka shprehur shqetësimin ditëve të fundit nga eksponentë politikë, ku në pah është vënë mungesa e energjisë elektrike dhe ajo pa kuzhina qendrore të kryeqytetit për shkak të mjeteve të pamjaftueshme, raporton Ekonomia Online. Qehaja në një intervistë për Ekonomia Online ka folur edhe për mësimin tërditor për çka tha se ekziston nevoja për investim të qëndrueshëm në mënyrë që ky model të gjejë zbatim të plotë.
“Mësimi tërëditor na dëshmon një politikë të mirë, e cila padyshim kërkon edhe një model të qëndrueshëm, pra ajo çka na duam ta shohim që ato shkolla që kanë qenë në zbatim për dy vite tashmë të na replikohen në tërësi për gjatë gjithë komunës por edhe të shpërndahet si praktikë e mirë edhe për komunat tjera. Mirëpo, për me bë këtë padyshim që kërkohen investime kapitale në mënyrë që me pasë hapësira të mjaftueshme të shpërndara si mësim tërëditor jo vetëm për nivelin e parë por edhe për të dytë por edhe të kenë resurse të tjera në planifikim për aktivitete të tjera të pasdites, në mësimdhënës adekuat për zbatim të aktiviteteve të pasditës, në hapësira të duhura, në kuzhinë dhe të ushqyerit e duhur, në tërësi të gjitha këto e kompletojnë atë eksperiencë të mësimit tërëditor në cilëndo komunë që zbatohet”, shtoi ai.
Drejtor ekzekutiv i Institutit EdGuard, theksoi se zbatimi i suksesshëm i këtij modeli në disa shkolla të Prishtinës ka dëshmuar efikasitet, por kërkohet analizë më e thelluar për të kuptuar ndikimin real në cilësinë e arsimit.
“Në vlerësimin tonë në ato shkolla që ka pasë zbatim edhe që ka pasë një udhëheqje të mirë nga drejtoria e shkollës padyshim na është dëshmu një model i mirë i mësimit tërëditor por për këtë na nevojiten statistika për me kuptu se cili ka qenë ndikimi në mirëqenien e nxënësve, në proces mësimor poashtu edhe në të arritura dhe rezultate”, tha tutje njohësi i arsimit.
E sa i përket shqetësimeve për mungesë të buxhetit, ai tha se nuk shihet ndonjë bllokade, duke theksuar se nuk guxohet të tentohet që fëmijët të përdoren për çështje elektorale.
“Në gjykimin tonë prapë komunat zhvillojnë buxhet dhe edhe nëse cenohet nga qeveria nuk do të duhej ta cenonte atje të ushqyerit nga kuzhina e qytetit për nxënësit e shkollave ose nxënësit e institucioneve parashkollore. Unë ajo çka ndjej keqardhje është rasti merr konotacion politik me gjasë edhe për përfitime elektorale dhe asnjëherë nuk guxon që një kontekst elektoral me na dëmtu nxënësit atje në mos të ushqyerit me kohë. Nuk guxoj me mendu që dikush i dëmton nxënësit në emër të një fushate elektorale, unë besoj në përgjegjësinë e dyja palëve në këtë rast edhe komuna në vend se me shfrytëzu me eficiencë të plotë dhe të gjitha resurset për furnizim të shkollave me materialin mësimor, me energji elektrike, të ushqyerit e të gjithë nxënësve pa përjashtim që ushqehen nga kuzhina qendrore. Pra, është përgjegjësi e të gjithëve, jo vetëm politike por mbi të gjitha edhe njerëzore që mos me cenu asnjë nxënës të asnjë shkolle”, tha ai.
Në fund, Qehaja theksoi se Komuna e Prishtinës ka buxhet të mjaftueshëm dhe se menaxhimi efikas i tij është përgjegjësi e vetë komunës.
“Vlerësoj që komuna ka buxhet të mjaftueshëm në atë se është përgjegjësi të saj dhe në atë se çka përcakton ligji për qeverisje komunale. Është përgjegjësi e komunave me menaxhu me institucione arsimore sikurse që është përgjegjësi e tyre ndaj komunitetit të prindërve të nxënësve të mirëmenaxhojnë me buxhet dhe të ofrojnë shërbime të duhura që i takojnë”, shtoi Qehaja.