Naim Qelaj, ish-koordinator nacional kundër dhunës në familje, në Raport të KTV-së, ka folur rreth dhunës në familje dhe viktimat të cilat paraqesin rastet e tyre në Polici.
Ai tha se nuk janë pak rastet në të cilat ka lëshime nga zyrtarët në detyrat e tyre për ofrimin e mbrojtjes ndaj viktimave dhe se këto lëshime janë përgjegjësi e shtetit.
“Padyshim që është shkelje, kur nuk mbrohet pas deklarimit të rastit, në këto raste e kemi gjykimin e Gjykatës Kushtetuese që thotë se shteti është përgjegjës për rastet kur nuk ofron siguri. Dua të besoj se institucionet tona janë të përgatitura për të zbatuar ligjet, por jo pak raste mund të ketë lëshime ose keqpërdorime të detyrave zyrtare nga vetë zyrtarët”.
“A janë përgjegjës shteti kur kemi lëshime të zyrtarëve, pa dyshim që po. Këtë e thotë edhe Gjykata Kushtetuese, në rastin e Dianës ka thënë se mos ofrimi i mbrojtjes dhe sigurisë për viktimën kur paraqet rastin, shteti ka përgjegjësi para asaj që ka ndodhë”, tha ai.
Qelaj tha se duhet të shihen të gjitha aspektet për trajtimin e viktimave të dhunës në familje, përfshirë ligjet.
“Dukuria e dhunës në familje nuk lidhet vetëm me rritjen e kapaciteteve profesionale të zyrtarëve. Është fenomen kompleks që ndërthur shumë aspekte. Së pari duhet me pa a e kemi ligjin e mirë sepse thirremi në atë që i kemi ligjet e mira por si janë në zbatim. Ligjet duhet të avancohen, sa avancohet shoqëria. Pastaj sa politika i jep peshën e vet specifika që ka kjo temë. Ndryshimet e shpeshta politike, jo çdo herë ruhet kontinuiteti i punëve. Ne kemi pasë probleme me atë që quhet memorie institucionale”, përfundoi ai.