Politika serbe duke vazhduar me makinacionet e veta kohëve të fundit ka filluar një fushatë kinse duhet bërë kompromise të rënda për Kosovën, por njëkohësisht duke theksuar se edhe Serbia diçka duhet të fitojë.
Kjo është një taktikë, që Serbia të rris pazarin e vet, duke e parë sidomos indolencën e vazhdueshme të palës kosovare.
Çfarë kompromisesh do të bëjë Serbia? Ta heq Kosovën nga kushtetuta në këmbim për asociacionin me kompetenca ekzekutive që i përngjajnë një autonomie territoriale? Të lejojë që Kosova të bëhet anëtare e OKB-së pa e njohur ajo atë, në këmbim të më shumë privilegjeve bllokuese për pakicën serbe? Më shumë pushtet për kishën, më shumë pushtet politik e ekonomik për Serbinë në Kosovë?
Në asnjë variant ne nuk duhet të biem pre e këtyre grackave. Qëllimi i tyre është që të thellohet jo-funksionaliteti i Kosovës, që edhe ashtu është jofunksionale edhe me zgjidhjet aktuale kushtetuese.
Nëse duhet për diçka të bisedojmë me Serbinë dhe atë ta bëjmë guximshëm është kërkesa për zgjidhje të njëjtë për Preshevën, Bujanocin e Medvegjën me Leposaviqin, Zveçanin dhe Zubin-Potokun.
Reciprociteti, ky duhet të jetë parimi i marrëdhënieve tona me Serbinë.