Qëllohet i dyshuari për sulmin jashtë sinagogës në Mançester

Prishtinë | 02 Tet 2025 | 12:23 | Nga Ekonomia Online

Policia britanike ka njoftuar të enjten (02.10.2025) se po reagon ndaj një incidenti jashtë një sinagoge në Mançester, në Anglinë veriperëndimore, raporton Reuters.

Një zëdhënës i Policisë së Mançesterit të Madh nuk dha detaje të mëtejshme. Sky News ka raportuar se kishte raportime për një sulm me thikë në një sinagogë. BBC-ja raporton se i dyshuari është qëlluar. Kryetari i Mançesterit ka konfirmuar se i dyshuari është qëlluar, por ka theksuar se nuk mund ta konfirmojë se ka vdekur. Ndërkohë për sulmin me makinë dhe me thikë raportohet se janë plagosur katër persona, raporton BBC.

Sipas gazetës lokale “Manchester Evening News”, një kordon është ngritur pas një “incidenti serioz” në Mançesterin verior dhe një rrugë është mbyllur ndërsa oficerët po menaxhojnë situatën.

Ekipet e ndihmës së shpejtë ishin të pranishëm, shtoi gazeta.

Incidenti në Mançester ndodh në Yom Kippur – dita më e shenjtë në kalendarin fetar hebraik. Një numër i madh hebrenjsh shkojnë në sinagoga dhe agjërojnë në këtë ditë.

Andy Burnham, kryetari i Mançesterit të Madh, i ka deklaruar BBC-së se çfarë ka ndodhur është një “incident serioz”.

“Në të njëjtën kohë, mund të jap njëfarë sigurie se rreziku i menjëhershëm duket se ka mbaruar”, shton ai, duke këshilluar qytetarët të “shmangin zonën”. Ai ka theksuar se policia me “efektivitet” ka menaxhuar situatën.

Të ngjashme