Qendra e Mjekësisë Urgjente është e pajisur me të gjitha mjetet mbrojtëse si masë parandaluese kundër Coronavirusit, kështu ka thënë në një intervistë për Ekonomia Online doktoresha Luljeta Kadiri.
Por ajo thotë se pavarësisht thirrjeve të shumta nga qytetarët për nevoja urgjente, koha për të qenë në shërbim të tyre është mjaft e limituar, duke bërë të pamundurën për t’i ndihmuar.
“Pavarësisht prej asaj që numri i madh i thirrjeve që është kushtet tjera ekzistojnë, pajisjet mbrojtëse, kemi dezinfektues kemi terapi të mjaftueshme pos që koha është shumë e limituar për të qenë në shërbim të gjithë thirrjeve që bëhen në Qendrën Urgjente”.
Madje ajo thotë se që nga marsi Qendra e Mjekësisë Urgjente është e ngarkuar nga personat që kanë nevojë për trajtim.
“Kohëve të fundit duke marrë periudhën prej marsit Qendra e Mjekësisë Urgjente është tepër e ngarkuar. Duke mos i anashkaluar edhe vizitat e rëndomta që i kemi urgjente qoftë aksidente apo sëmundjet e ndryshme”.
“Edhe personat që kanë nevojë për trajtim shtëpiak dhe po mundohemi t’ia dalim deri në fund”.
“Sa i përket pajisjeve mbrojtëse kemi mjaftueshëm ndërsa sa i përket shtretërve nuk e kemi shërbimin konsultativ apo përcjelljes së gjendjes së pacientit sepse ne i trajnojmë në shtëpi nëse janë në gjendje më të lehtë ose bëjmë transport në qendrën e mjekësisë urgjente”.
Tutje, doktoresha Kadiri theksoi se janë katër ekipe ditore, mirëpo janë duke funksionuar vetëm me tri, raporton Ekonomia Online.
“Ekipet ditore janë katër, mirëpo kohëve të fundit s’po mund të bëhemi katër sepse pacientët janë në vetizolim dhe trajtim mjekësor. Kështu që me tri ekipe po funksionojmë dhe po ia dalim. Po mundohemi ta menaxhojmë mirë situatën. Nuk ka mbetur rast që se kemi kryer gjatë ditës”.
Mes tjerash, Kadiri ka thënë se kanë mjaft sfida dhe se nevojat e qytetarëve janë të mëdha.
“Qytetarët janë të njoftuar për numrin ekzistues të qendrës së mjekësisë urgjente të cilët thërrasin dhe kërkojnë ndihmën e tyre”.
“Ne e shqyrtojmë rastin dhe e vlerësojmë gjendjen e tyre. Sfidat janë thirrjet e shumta dhe kërkesat dhe dhashtë Zoti t’i kemi realizuar të gjitha ato dhe të kemi shëndet”.