Qendra Kinematografike e Kosovës në konkursin e vitit 2016, përkatësisht juria vlerësuese për projektet e metrazhit të gjatë artistik, debutant dhe koproduksion minor, e përbërë nga: Arian Krasniqi – Kryesues, Danijel Hocevar, Zymber Kelmendi, Elma Tataragic, Visar Morina, Artur Tahiraj dhe Alban Ukaj, pasi shqyrtuan projektet e paraqitura në këtë konkurs, kanë kënaqësinë t’i shpallin projektet fituese:
Në kategorinë e filmit të metrazhit të gjatë – artistik juria ka vendosur të subvencionoj 4 projekte: projekti filmik ‘Cirku Fluturues’ me skenar dhe regji nga Fatos Berisha, projekti ‘Zgjoi’ me skenar dhe regji nga Blerta Basholli, ‘Zana’ me skenar dhe regji nga Antoneta Kastrati dhe ‘Skype’ me skenar dhe regji nga Isa Qosja.
Në kategorinë e metrazhit të gjatë artistik – Koproduksion Minor juria vendosi të subvencionoj 3 projekte: ‘Derë e Hapur’ me skenar dhe regji nga Florenc Papas, ‘Delegacioni’ me skenar nga Artan Minarolli dhe regji nga Bujar Alimani dhe ‘I treturi’ me skenar dhe regji nga Arben Thaqi.
Juria konstatoi se në garën e sivjetme pati skenare me potencial të mirë kinematografik dhe kjo është një shenjë se procesi i shkrimit të skenarit dhe realizimit kinematografik po tërhjek një numër të konsiderueshëm kineastësh të të gjitha moshave. Ndërsa, sa i përket thirrjes së veçantë për projektet specifike që nuk kalojnë vlerën e 50 mijë eurove të regjisorëve debutues, juria konstatoi se nuk ka projekte cilësore në aspektin e skenarit dhe, me shumicë votash, vendosi që të mos mbështes asnjë projekt në këtë kategori.
Megjithatë, juria shpreh besimin dhe bindjen se respektimi i kritereve artistike për skenarë filmash vetëm sa mundëson ngritjen cilësore të prodhimit kinematografik në vend. Në këtë kontekst, juria inkurajon kineastët e rinj që të vazhdojnë të shfrytëzojnë mundësinë që jep konkurrenca në këtë kategori për realizimin e veprave të tyre kinematografike.