Qendra Kinematografike e Kosovës të premten ka hapur konkursin për subvencionim të projekteve filmike për këtë vit. Sipas njoftimit të këtij institucioni, Këshilli Drejtues i QKK-së në mbledhjen e fundit ka vendosur të hapë konkursin. Sikurse edhe vitet e kaluara, QKK-ja bën thirrje për projekte për film të metrazhit të shkurtër dhe të gjatë artistik, dokumentar, për film të shkurtër të animuar, film debutues të metrazhit të gjatë artistik, për koproduksion minor për film të metrazhit të gjatë artistik, për postproduksion për film të metrazhit të gjatë artistik e për zhvillim skenari për film të metrazhit të gjatë.
Afati i fundit për të aplikuar për mbështetjen e projekteve filmike është 4 maji. Ndërsa afati i fundit për regjistrimin e shtëpive filmike në QKK është dita e parë e majit. Edhe këtë vit, sikurse më 2017, QKK-ja ka buxhet prej 666 mijë euro mijë euro për projekte filmike, nga 765 mijë sa i ka në tërësi.
Por drejtori i këtij institucioni, Arben Zharku ka thënë se Ministria e Kulturës u ka premtuar mjete shtesë në qershor, me rishikim të buxhetit. “Na kanë thënë se me rishikim do të rritet buxheti. Ky është një lajm i mirë. Nuk besoj që presim më shumë projektet sesa në vitet e kaluar. Prej 50 deri në 60 projekte konkurruese kemi pasur zakonisht në të gjitha kategoritë”, ka thënë ai. Sipas Zharkut, fakti që kineastët kosovarë kohëve të fundit janë përfshirë në bashkëprodhime me produksione të shteteve të ndryshme, ka ndikuar që të rritet edhe cilësia e projekteve. Ka thënë se tashmë prodhimet filmike kosovare janë të nivelit ndërkombëtar.
“Nëse nuk na rritet buxheti do të jetë shumë keq. Tash e 15 vjet pos Kosovës, asnjë film i ndonjë vendi të Ballkanit nuk është nominuar për ‘Oscar’. Nuk ka sukses më të madh se ky”, duke iu referuar filmit “Shok” i të Jamie Donoughue, që u nominua në kategorinë për filmin më të mirë të shkurtër më 2016. Kosova është në mesin e vendeve të rajonit që investon më së paku në film. “Serbia e ka bërë 11 milionë euro buxhetin, Mali i Zi posa e ka themeluar Qendrën Kinematografike e i ka 1 milion euro buxhet. Ka vetëm 600 mijë banorë”, ka thënë Zharku.
Vitin e kaluar në të gjitha kategoritë QKK-ja kishte mbështetur 20 projekte filmike. Por sikurse çdo vit, edhe më 2017 pakënaqësitë e disa regjisorëve u adresuan në Ministrinë e Kulturës, por aty edhe u mbyll historia e tyre.