Ministria e Kulturës e Shqipërisë në fokus të saj ka pasur dhe do të vazhdojë të ketë edhe gjatë këtij viti, edukimin dhe afrimin e brezit të ri me librin dhe kulturën. Një seri fushatash leximi qenë mbajtur më 2018 nëpër disa qytete shqiptare me qëllim të afrimit të librit me lexuesin.
“Ky është një nga objektivat e Ministrisë së Kulturës edhe për vitin 2019. Për vitin 2019 do të krijohet një institucion i ri kombëtar për t’i dhënë përparësi politikave në fushën e librit dhe edukimit. Do të krijohet, gjithashtu, dhe Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit, e cila do të jetë një agjenci në nivel kombëtar për të ekzekutuar në territor të gjitha politikat dhe programet”, shkruan të dielën Agjencia Telegrafike Shqiptare. Kjo qendër kryesisht do të merret me “programe edukimi, me promovimin e letrave shqipe, me nxitjen e leximit si një mjet të domosdoshëm për edukimin dhe emancipimin e shoqërisë, por edhe për të zënë kohën e lirë të rinjve që ta shpenzojnë në mënyrë produktive”.
Nismën e themelimit të Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, Qeveria e Shqipërisë e prezantoi qysh në nëntor të vitit të kaluar.