Në parkun e Gërmisë, Qendra për Shërbime Humane dhe Zhvillim (QShHZh) në bashkëpunim me zyrën e UNICEF-it ka organizuar një festë përmbyllëse me fëmijë dhe prindër për të përfunduar “Muajin e Prindërimit”, raporton Ekonomia Online.
Qëllimi i kësaj festë përmbyllëse, sipas përfaqësueses së Qendrës për Shërbime Humane dhe Zhvillim, Ema Jashari-Skeja, është qe prindërit të vetëdijesohen për rëndësinë e kohës kualitative me fëmijët e tyre.
Jashari-Skeja tha se prindërit u riinformuan për aplikacionin “Foleja”, aplikacion ky që është udhëzues për mirërritjen e fëmijëve në moshën 0-6 vjet.
Ajo tha se aplikacioni është krijuar nga Zyra e UNICEF-it, mbështetur nga Zyra e BE-së dhe ambasada e Luksemburgut në Kosovë.
“Sot në Gërmi Qendra për Shërbime Humane dhe Zhvillim (QShHZh) po e bën përmbylljen e “Muajit të prindërimit”, një muaj i cili gjithmonë kemi pasur aktivitete për vetëdijesimin e prindërve në mirërritjen e fëmijëve dhe ne patëm fatin që të kemi shumë prindër të cilët ishin bashkëpunues në organizimin sa më të mirë. Ne u munduam që t’iu tregojmë të gjithëve prindërve që ka një aplikacion i cili është i lansuar në “Muajin e Prindërimit”, që quhet “Foleja”, që iu ndihmon të gjithë prindërve që fëmijët e tyre që kanë 0-6 vjeç të marrin informacione të shumta në ushqyerjen, në aspektin e zhvillimit të fëmijëve dhe të gjitha karakteristikat për rritjen e tyre”, tha ajo.
“Aplikacioni “Foleja” punon edhe pa pasur qasje në internet, mjafton vetëm ta shkarkojnë aplikacionin. Po ashtu kemi shpërndarë edhe disa fletushka, ku kanë informacione dhe udhëzues për pjesën e aplikacionit. Ne si Qendër jemi të lumtur që kemi pasur shumë prindër sot, të cilët kanë qenë bashkëpunues dhe jo vetëm sot por gjithë kohën prindërit kanë filluar të vetëdijesohen për edukimin e hershëm dhe për rëndësinë. E kemi një moto që po e përdorim vazhdimisht, e që është “Gjashtë vitet e para nisë e mbara””, tha tutje ajo.