Në hapësirën afër Poliklinikës së Stomatologjisë në Pejë, jo larg Spitalit të Përgjithshëm në Pejë, Drejtoria e Shëndetësisë ka planifikuar ndërtimin e qendrës rajonale trajnuese të stafit mjekësorë të Komunës së Pejës, Istogut, Klinës, Deçanit, Junikut, por edhe për stafin mjekësor të Spitalit të Përgjithshëm në Pejë.
Ky projekt ka mbetur vetëm në letër. Drejtori i kësaj drejtorie, Petrit Loci, thotë se vlera e projektit ka qenë rreth 400 mijë euro, shkruan sot Koha Ditore.
“Me këtë projekt ka pasur të ndërtohet komplet qendra trajnuese për stafin mjekësor të Komunës së Pejës, Istogut, Klinës, Deçanit, Junikut dhe për Spitalit Rajonal të Pejës. Objekti si një aneks ka pasur të ndërtohet në oborr të Poliklinikës Stomatologjike”, tregoi Loci për qëllimin e këtij projekti, për të cilin asnjëra prej këtyre komunave nuk ka ndarë asnjë cent.
Si financues i këtij projekti ishte paraparë të jetë Ministria e Shëndetësisë. Por, siç pohon Loci, ndërtimi i kësaj qendre qenka anuluar nga Ministria e Shëndetësisë.
“Kanë qenë të ndara 220 mijë euro nga Ministria e Shëndetësisë nga buxheti i vitit 2018, por kjo qendër është anuluar prej Ministrisë, e cila e ka tërheq si investim dhe më duket për shkak se kanë ndodhur disa rishikime të buxhetit atje dhe si arsyetim kanë thënë se ka qenë mungesa e mjeteve”, pohon Loci arsyen pse ka dështuar ndërtimi i kësaj qendre të rëndësishme për trajnimin e stafit mjekësor në këtë rajon.