Tablotë kushtuar qëndresës arbërore, përbëjnë një koleksion të madh veprash arti të realizuara nga disa prej autorëve më të njohur evropianë midis shekujve XVI-XIX. Pjesa më e madhe prej tyre i kushtohet figurës së Gjergj Kastriotit dhe bashkëluftëtarëve të tij. Në këtë studim po ndalemi në atë pjesë të koleksionit që merr fill nga rrethimi i Shkodrës dhe disa vite më pas. Grupimin e parë të kësaj ndarjeje e kryeson afresku i mjeshtrit Paolo Veronese dhe disa punime të tjera që i kemi paraqitur në një studim të mëparshëm.
Brenda këtij grupimi përfshihen edhe disa tablo, vizatime dhe gravura që nuk janë paraqitur në studimin e sipërpëmendur. Gati 100 vjet më pas nga krijimi i Andrea Zucchi-t me këtë temë, që ruhet në fondin e Muzeun Britanik në Londër, më 1820 piktori Antonio Lanzani ka gdhendur gravurën me titullin Mbrojtja e Shkodrës (La difesa di Scutari). Në këndvështrimin e parë imazhi i saj të kujton relievin e vendosur te Shkolla e Shqiptarëve në Venecia, ku pushtuesit paraqiten në plan të parë dhe mbrojtësit më pas, por më lart. Në gravurën e Lanzani-t ka më shumë personazhe. Ndryshe nga imazhet e qeta që duken te relievi, figurat e armiqve këtu paraqiten duke sulmuar. Tabloja pasqyron një nga betejat e egra të asaj kohe. Mbrojtja nga kështjellarët sipër bedenave duket e fuqishme dhe e sigurt. Muret e larta të kalasë, në këtë rast të Rozafës në Shkodër, janë paraqitur aq të forta dhe të pacenueshme, sa imazhi i tyre solid na bën t’i shohim edhe më të shtrembëruar ushtarët pushtues, madje jo vetëm të vrarët dhe të plagosurit në plan të parë, por edhe kalorësit e tjerë që po afrohen.

Vincenzo Giacomelli, “Antonio Loredan dhe Rrethimi i Shkodrës”, fragment nga tabloja e shekullit XIX.Museo “Civico”, Treviso, Itali
Rreth katër shekuj pas rrethimit të Shkodrës, midis viteve 1845-1847 është krijuar piktura në përmasa të mëdha me këtë motiv. Titullohet Antonio Loredan dhe rrethimi i Shkodrës (Antonio Loredan e l’assedio di Scutari). I takon piktorit italian Vincenzo Giacomelli, i njohur për trajtimin e temave historike. Në të njëjtën periudhë kur realizoi tablonë për Shkodrën, Giacomelli ka pikturuar edhe një cikël prej gjashtë pikturash kushtuar mbrojtjes së qytetit të Venecias nga sulmet e ushtrisë austriake. Pikturimi në vitin 1848 i tablosë Rrethimi i Shkodrës, pra rikujtimi i qëndresës heroike në Kështjellën e Rozafës gjatë shekullit XV, pikërisht në atë vit kur në Venecia po luftohej kundër pushtimit austriak, është një analogji e qartë midis të dyja ngjarjeve, respekt dhe homazh ndaj luftëtarëve të lirisë. Vetë artisti Giacomelli ka marrë pjesë në luftimet për mbrojtjen e Venecias në vitin 1848, si toger i Gardës Kombëtare Veneciane.

Antonio Lanzani, “Mbrojtja e Shkodrës”, 1820Galéria “Mesta Bratislavy”, Sllovaki
Një nga personazhet kryesore në plan të parë të tablosë së Giacomelli-t për Shkodrën ngjan me Skënderbeun. Pikturimi i heroit kombëtar në ngjarjen e vitit 1479 (ndërkohë që ai realisht kishte vdekur më 1468, pra 11 vjet para ngjarjes së paraqitur në tablo) mendoj se në këtë rast është si simbol i qëndresës disavjeçare të shqiptarëve kundër pushtuesve osmanë. Pikturime të imazhit të Gjergj Kastriotit gjenden edhe në tablo të autorëve të tjerë të kësaj periudhe.[1] Vepra e Vincenzo Giacomelli-t kushtuar rrethimit të Shkodrës ka shumë personazhe: luftëtarë, gra me fëmijë, banorë të plagosur. Përmes karaktereve të ndryshme, aty shprehet qëndresa e luftëtarëve, si dhe mundimi dhe vuajtjet e banorëve në ditët e fundit të atij rrethimi. Origjinali i kësaj pikture ruhet në Muzeun Civico në Treviso të Italisë.
Nga mesi i periudhës midis viteve 1845-1860, në kohën kur piktorët Giacomelli dhe Gatteri krijuan veprat e tyre në Venecia për të rikujtuar qëndresën e shkodranëve gjatë shekullit XV, në Kalanë e Rozafës kishte ardhur për të pikturuar Richard Woodville, një nga mjeshtërit më të njohur të Britanisë. Pikërisht në vitin 1885 ai realizoi gravurën Në kështjellën e Shkodrës, Shqipëri (On the Castle at Scutari, Albania) dhe e botoi në revistën The Illustrated London News. Në një gravurë tjetër ka paraqitur disa gra në Kalanë e Rozafës, që sipas një riti tradicional hedhin lule në nderim të Skënderbeut. Imazhe nga Kalaja e Shkodrës dhe adhurimi i shqiptarëve ndaj Gjergj Kastriotit pasqyrohen edhe në disa krijime të tjera të këtij piktori. Gjatë pikturimeve në Shqipëri si korrespondent i revistës së njohur londineze, Woodville realizoi dhjetëra vizatime, gravura, akuarele dhe tablo me ngjyra vaji kushtuar shqiptarëve.