Ambasadori amerikan në Kosovë, Philip S.Kosnett dhe ambasadori amerikan në Beograd Kyle Scott, kanë lëshuar një deklaratë të përbashkët – “2019-a duhet të jetë viti i një marrëveshjeje”.
Letra e Kosnett-it dhe Scott-it:
Guximi dhe kreativiteti i udhëheqësve në Athinë dhe Shkup, për ta zgjidhur mosmarrëveshjen e tyre dhjetëvjeçare, do të duhej t’i frymëzonte të gjithë në rajon. Si ambasadorë të SHBA-së në Beograd dhe në Prishtinë, jemi të bindur se udhëheqja politike e matur e vizionare mund të çojë në një marrëveshje gjithëpërfshirëse ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, që në thelb ka njohjen reciproke. Kjo arritje do të vinte themelin për të ardhme më paqësore dhe më të begatshme për të gjithë popujt në këtë rajon, transmeton Koha.net.
Kjo është arsyeja pse sot u bëjmë këtë thirrje: Është koha që Kosova ta pezullojë taksën, Serbia të përgjigjet në mënyrë konstruktive, që të marrin fund provokimet nga të dyja palët, Beogradi dhe Prishtina t’i kthehen dialogut të udhëhequr nga Bashkimi Evropian dhe të dyja palët ta përqafojnë paqen me guxim. Nëse e bëni këtë, ne jemi optimistë se mund të arrini një marrëveshje historike për normalizim më 2019-n.
E keni mbështetjen e plotë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe ne do të bëjmë gjithçka që mundemi për t’ju ndihmuar që të keni sukses dhe të ndërtoni besimin e nevojshëm për ta ndërtuar dhe për ta zbatuar një marrëveshje gjithëpërfshirëse. Kohët e fundit presidenti amerikan Donald Trump u shkroi udhëheqësve, atij të Serbisë dhe atij të Kosovës, për t’i nxitur të dyja vendet “për ta shfrytëzuar këtë çast dhe për të treguar udhëheqje politike në marrjen e vendimeve që i marrin parasysh interesat e të dyja vendeve”. Presidenti Trump shtoi: “Do të ishte jashtëzakonisht për të ardhur keq nëse nuk shfrytëzohet kjo mundësi unike për paqe, për siguri dhe për rritje ekonomike”. Presidenti Trump ishte po aq i qartë edhe në fjalimin e tij gjatë Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara: udhëheqësit e përgjegjshëm e kanë për detyrë t’u shërbejnë qytetarëve të tyre.
Ne besojmë se një marrëveshje është e mundshme dhe shpresojmë të festojmë bashkë me ju, ashtu siç e festojmë guximin e prijësve grekë dhe maqedonas. Në fakt, presidenti Trump tashmë ka ftuar presidentin serb Vuçiq dhe presidentin kosovar Thaçi në Shtëpinë e Bardhë për të shënuar këtë të arritur. Shtetet e Bashkuara nuk e caktojnë dhe nuk do të caktojnë se si duhet të duket zgjidhja, por besojnë se duhet të jetë e zbatueshme në Kosovë dhe në Serbi dhe duhet t’i kontribuojë stabilitetit afatgjatë të rajonit. U takon prijësve dhe ekipeve të tyre për t’i rifilluar bisedimet që udhëhiqen nga BE-ja për të hulumtuar çka është e mundshme dhe për të komunikuar në mënyrë të hapur me qytetarët e tyre – për të siguruar se negociatat pasqyrojnë vullnetin e popullit dhe për t’u ndihmuar për të tejkaluar ankthin dhe dyshimin.
Ne e pranojmë se kjo nuk është e lehtë. Nuk jemi të verbër para ngjarjeve historike dhe tensioneve të vazhdueshme që kanë sjellë te mosbesimi dhe keqkuptimi që i rëndojnë marrëdhëniet. Kjo është arsyeja pse çfarëdo marrëveshje duhet të jetë e gjerë dhe e leverdishme për të dyja anët, për t’u dhënë të dyja vendeve, Kosovës dhe Serbisë, rol në suksesin e saj. Kjo është arsyeja pse Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të përkushtuara për të punuar me Serbinë dhe me Kosovën për të siguruar që të dyja anët në mënyrë efektive ta ndërtojnë dhe ta zbatojnë një marrëveshje të qëndrueshme. Hapat e kohëve të fundit të ndërmarrë nga Beogradi, po ashtu edhe nga Prishtina, që rrisin tensionet duhet të ndalen nëse do të ketë ndonjë shpresë për të sjellë paqe, prosperitet dhe drejtësi të përhershme në rajon. Nëse të dyja palët dështojnë për ta shfrytëzuar këtë mundësi, rrezikoni ta humbisni mundësinë më të mirë në një brez.
Status quo-ja ka shkaktuar ngecje të përparimit ekonomik dhe politik në të dyja vendet, si dhe ka bërë që profesionistët e të rinjtë ta kërkojnë të ardhmen e tyre në vende më të qëndrueshme me ekonomi më dinamike. Në vend të tyre, po zë rrënjë krimi i organizuar, korrupsioni dhe elementet e tjera ekstremiste, duke kërcënuar sigurinë në rajon dhe në Evropë.
Asnjëri vend nuk përfiton nga obstruksionizmi dhe vonesat e vazhdueshme. Qytetarët e Serbisë dhe të Kosovës meritojnë të ardhme ku fëmijët dhe fëmijët e fëmijëve të njohin paqen e mbarësinë dhe jo konfliktin e vështirësitë ekonomike.
Një marrëveshje e qëndrueshme dhe e zbatueshme e kompromisit, është në interes të të dyja vendeve. Stabiliteti afatgjatë dhe prosperiteti për Kosovën dhe e Serbinë varen në kthimin te Dialogu, i udhëhequr nga BE-ja dhe guximin për ta tejkaluar të kaluarën dhe për të ndërtuar të ardhmen e përbashkët. Nëse Serbia dhe Kosova janë të gatshme për t’u nisur në këtë shtegtim, Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të qëndrojnë përkrah jush në çdo hap të rrugës.