Vendosja e taksës 100% ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnje Hercegovinës me 21 nëntor të vitit të kaluar, duke se po i nxjerrë probleme të reja shtetit të Kosovës, kështu sot një qëndrim i prerë ka ardhur në drejtim të autoriteteve kosovare nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA).
Një vendim i përbashkët nga Këshilli i Sigurisë Kombëtare të SHBA’ve dhe Departamenti i Shtetit Amerikan, kanë formësuar pozicionin e tyre lidhur me zhvillimet aktuale në Kosovë, respektivisht çeshtjen e taksës së vendosur nga qeveria dhe dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Ky qëndrim i prerë i administratës amerikane është përmbledhur në tetë pika kryesore:
1. “Masat tarifore janë marrë pa asnjë konsultim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.
2. “Shprehim zhgënjimin e thellë që pas letrës së Presidentit Trump drejtuar Presidentit Thaçi, jo vetëm që nuk ka pasur reflektim pozitiv nga ana e Qeverisë së Kosovës, por janë shtuar produktet të cilat i nënshtrohen tarifës“.
3. “Kërkojmë pezullimin e menjëhershëm të tarifës. E njëjta tarifë mund të rivendoset në rast se dështon marrëveshja me Serbinë“.
4. “Mbështetja e SHBA-ve për Kosovën nuk është e pakushtëzuar. Kosova për momentin e bart barrën e rrezikimit të dështimit të dialogut“.
5. “Nëse tarifa nuk suspendohet urgjentisht, SHBA-të do të suspendojnë asistencën në fushën e sigurisë, pra mbështetjen për FSK“.
6. “Suksesi dhe arritja e marrëveshjes nuk ndërlidhen me rolin e znj. Federica Mogherini dhe BE-në. Arritja e marrëveshjes është interes strategjik i SHBA-ve, prandaj është e papranueshme për ne vënia në pikëpyetje e këtij qëllimi strategjik nga ana e veprimeve të papergjegjshme të liderëve kosovarë”.
7. “Në rast se marrëveshja dështon për shkak të Kosovës, barrën e përgjegjësisë dhe pasojat do t’i bartë vetë Kosova dhe individët përgjegjës për këtë dështim“.
8. “Kosova me sjelljet e saja të papërgjegjshme po e rrezikon seriozisht miqësinë me SHBA-të”. Me kërkesë të Shtëpisë së Bardhë, ky mesazh është përcjellë tek pesë institucionet relevante shtetërore të Kosovës nëpërmjet kanaleve diplomatike..