Kryetari i komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati, ka bërë të ditur që bashkë me përfaqësuesit e Unionit të Bizneseve Shqiptaro-Gjermane, kanë nisur ndërtimin e shtëpisë për një ish-ushtar të UÇK-së.
Kastrati përmes facebook është shprehur falënderues ndaj kontribuesve nga diaspora, për të gjitha investimet dhe ndihmat që i sjellin në Kosovë.
”Bashkë me përfaqësuesit e Unionit të Bizneseve Shqiptaro-Gjermane, vumë gurëthemelin e shtëpisë për ish ushtarin te UÇK-së në fshatin Hodonoc. Diasporës duhet t’u jemi falënderues për të gjitha investimet e ndihmat që i sjellin në Kosovë. Është dëshpëruese që edhe 20 vite pas luftës, kategoritë e dala nga lufta përballen me probleme elementare. Këtë fakt duhet ta ndryshojmë”.
”Drejtori i “Unionit të Bizneseve Shqiptaro-Gjermane” në Mannheim të Gjermanisë, Naser Hoxha dhe koordinatori Kujtim Metaj, kanë bërë një punë të mrekullueshme bashkë me diasporën tonë atje. Uroj që ky investim mos të jetë i fundit për kategoritë e dala nga lufta”, përfundon Kastrati.