Për të vdekurit , fjalët më të pa – zgjedhura : Është një thënie latine se : “ Për të vdekurit , fjalë më të zgjedhura .. “ ! Shumica e njerëzve që e kanë një moral , qoftë edhe në grimca kjo thënie respektohet edhe kur shkohet në kryeshëndosh e sidomos gjatë paraqitjeve publike për ata që e kanë këtë mundësi për shkak postit që e kanë apo që duan të jenë në qendër të vëmendjes , me çdo kusht dhe çdo çmim , pa e respektuar asnjë parim ! Popujt e vegjël kryesisht merren me tema të mëdha , me çështje strategjike botërore ndonëse askush nuk i pyet as kah e ka dhia bishtin e lëre më për Ukrainën , Rusinë , Amerikën , Kinën etj. Shqiptarët janë të paparë në këtë drejtim , sidomos kur deklarohen për vlerat e vërteta njerëzore dhe kombëtare sikur edhe kur duan t’i mbrojnë kundërvlerat apo ndryshkun njerëzorë , moral dhe kombëtar. Nëse e bëjmë një skanim të figurave kryesore kombëtare të historisë së re , hiç këtu pellazgët , ilirët dhe kohën e Skenderbeut del se pjesa dërrmuese e këtyre figurave janë vrarë , burgosur , internuar apo eliminuar politikisht nga Ahmet Zogu bashkë me Nikolla Pashiqin apo kontin Çano , Enver Hoxha bashkë me Stalinin , Titon dhe Bandën e Katërshit Kinez sikur që në kohën e “ Demokracisë “ që ka pasur eliminime kryesisht politike por jo me pasoja fizike. Ahmet Zogu i ka cferrë thuaja të gjithë patriotët shqiptarë të asaj kohe për të ikur pastaj nga Shqipëria pa e çkrepë qoftë edhe një plumb të vetëm. Është e dhimbshme dhe për njerëz normal e pabesueshme që thuaja 70% të nënshkruesve të Deklaratës së Pavarësisë në Vlorë , ose janë vrarë , internuar dhe mbajtur në burgjet e Shqipërisë për dekada me radhë nga ish – sistemi komunist në krye të të cilit ishte Enver Hoxha , i katapultuar politikisht nga Dushan Mugosha dhe Milladin Popoviq , antishqiptarë të përbetuar dhe dhunues të çdo drejteje kombëtare , politike dhe njerëzore në Shqipëri . Kosova , pas masakrave të shumta të patriotëve të vendosur shqiptarë në Drenicë , Anamoravë , Llap dhe Dukagjinë e që nuk pajtoheshin të mbesin nën Jugosllavi dhe Serbi në një Kuvend të Prizrenit “ vendosën “ të mos i bashkohen Shqipërisë por të mbesin si pjesë e Jugosllavisë. Realisht , në këto masakra ndaj shqiptarëve të Kosovës , duart i përgjakën edhe partizanët nga Shqipëria përkatësisht Brigada e Shefqet Peçit dhe alishukritë , sinanhasanët , fadilhoxhët , hivzisylejmanët , gjergjekët , xhavitnimanët , mehmetmaliqët , hamzajt , si bashkëpunëtorët e të gjitha regjimeve . që nga koha e Skenderbeut e deri te xhevddethamzët dhe shumë të tjerë që nuk po kam mundësi t’ua përmendi emrin , Zoti emrin ua marroftë ! Prej atëherë në Kosovë kishim dy pole , ata që nuk pajtoheshin me robërinë e që përfundonin ose në shkretëtirat e Anadollit , të vrarë dhe të mbytur nën torturë në llogoret e Jugosllavisë dhe të Serbisë apo të dënuar me burg afatgjatë në llogoret e këtij shteti. Poli tjetër ishin trashigimtarë të atyre që i përmenda më lartë nga e cila doli një shtresë politike që brutalisht përndiqnin patriotët shqiptarë ndërsa vet dhe familjarët e tyre , qençe në shërbim të Jugosllavisë dhe Serbisë , fituan një status shoqëror ku bënin shtatë palë qejfe dhe merrnin pozita të ambasadorit , ishin bartës të posteve të larta politike dhe ekonomike sikur që okupuan arsimin, nga ai fillor deri te ai universitar duke përhapur frymën antikombëtare dhe vetqeverisjen e socializmit jugosllav . Me një fjalë nxirrnin kuadro që luftonin çdo frymë kombëtare për interes të socializmit vetqeverisës jugosllavë dhe serb. Përkundër terrorit të vazhdueshëm , lufta për liri , çlirim dhe bashkim kombëtar asnjëherë nuk u shua dhe pikërisht patriotët e mëdhenj , duke u sakrifikuar vet e mbajtën gjallë frymën liridashëse kurse ata që mbetën gjallë e ndriçuan këtë rrugë duke u shkrirë sikur qiriri nëpër llogoret e ish – Jugosllavisë. Demonstratat e vitit 1968 , 1074 , 1981 dhe të vitit 1989 e gjetën në burg apo llogoret jugosllave Kuptimin dhe Përmbajtjen e Luftës për Liri dhe Bashkim Kombëtar , Bacën Adem Demaçi që i bënte hapat e fundit të një Marathomaku politik thuaja 30 vjet , si i burgosur politikë. Në vitin 1990 , Baca Adem Demaçi u lirua nga një “ burg i vogël për t’u kthyer në një burg të madh të quajtur Kosovë .. “. Në kohën e dhunës së madhe ndaj shqiptarëve në Kosovë dhe Jugosllavi , nga një bërthamë e ish komunistëve shqiptarë dhe anëtarëve të Lidhjes Socialiste të Popullit Punonjës të Jugosllavisë u themelua Lidhja Demokratike e Kosovës në me krye Ibrahim Rugovën dhe alter egon politike , Fehmi Agani. Paraqitja në skenën politike e një partie politike që nuk pajtohej me poziten e shqiptarëve dhe e cila kërkonte më shumë të drejta politike u përkrah nga të gjithë. Më kujtohet se në atë kohë Baca Adem Demaçi në Llogorin e Stara Gradishkës mblodhi ish të dënuarit politikë dhe kërkoi që LDK dhe Ibrahim Rugova të përkraheshin pa asnjë rezervë sepse , siç thoshte Baca Adem , më në fund doli një shqiptar ( Ibrahim Rugova ) që po flet si shqiptar . Po në të njëjtën kohë , pasi e dinim se së shpejti do të liroheshim shkaku se Tugjmani , pas shpalljes së pavarësisë së Kroacisë nuk pranonte të mbante në burgjet kroate të burgosur politikë , Baca Adem na këshilloi që pasi të dalim nga burgu mos ta pengojmë me asgjë LDK-në e as Ibrahim Rugovën dhe që t’i mos bashkohemi LDK-së për faktin se si të burgosur politikë mund t’i shkaktonim probleme e që shumica vepruan duke përfillur kërkesat e Bacës Adem. Në vitet e 90-ta , të burgosurit politikë shqiptarë kishim kredi të madhe politike dhe nëse do të kishim vendosur t’i bëjmë rivalitet LDK-së do të shkaktonim përçarje të madhe dhe pikërisht këtë Baca Adem e kundërshtonte dhe në zgjedhjet e para thuaja të gjithë të burgosurit politikë shqiptarë e votuan LDK-në dhe Ibrahim Rugovën . Edhe unë veprova në atë mënyrë dhe ky ishte votimi im i vetëm . Kurrë më nuk kam votuar për asnjë parti e për asnjë politikan.
Ku nuk eci mirë : Përkundër faktit që ish të burgosurit politikë , me kërkesën eksplicite të Bacës Adem , me asgjë nuk e penguan LDK-në dhe Ibrahim Rugovën , anëtarë të kësaj partie me mendësi komuniste , titiste dhe rankoviqiste , në vend se të merreshin me Serbinë dhe terrorinë që ushtronte mbi shqiptarët , luftën politike e orientuan kundër ish të burgosurve politikë shqiptarë . Madje , dega e LDK-së në Podujevë ( vendin ku jetoja ) mbante mbledhje ku haptasi thuhej se : “ për ne më të rrezikshëm janë të burgosurit politikë se vet Serbia …” Struktura të caktuara të LDK-së dërgonin informata te Policia në Podujevë dhe gjatë marrjes sime në pyetje nga Rade Noviçeviq , ish – shefi i UDB-së për Podujevë ai saktë e dinte kohën dhe sa herë ka hyrë në shtëpinë time Ahmet Haxhiu , sa herë dhe ku jam takuar me Fehmi Blakçorin , Avdullah Ramën , Fadil Lepajën , Sylejman Blakun , Arif Ejupin , Selman Hoxhën , Hakif Shehollin dhe Xheladin Rekaliun . Mos të flasim për Bacën Adem Demaçin që e kishin filmuar thuaja çdo vizitë. Në bazë të këtyre denoncimeve , patriotin e madh kombëtar dhe doajenin e të burgosurve politikë për Llap , Xheladin Rekaliun e pati keqtrajtuar mizorisht pikërish Rade Noviçeviq që kishte punuar më heret ( para se të bëhej kryeudbash ) me Xhelën në “ Ramiz Sadik “. Pas luftës në Kroaci dhe Bosnje u dëshmua qartë se “ rezistenca paqësore “ e që nuk ishte kurrfarë rezistenec është me mandat të skaduar dhe , që nga viti 1995-96 roli i LDK-së dhe i Ibrahim Rugovës kishte perënduar. Po në atë kohë filluan aksionet e para të armatosura kundër milicësë dhe ushtrisë serbe sikur që filloi eliminimi i spiujve shqiptarë që i shërbenin UDB-së. U eliminua disa , për bindjen time shumë pak kur dihej që numri i tyre ishte i madh dhe falë angazhimit të tyre shumë shqiptarë – patriotë të asaj kohe u arrestuan , u mbytën nën torturë apo u vranë. Mosgatishmëria e LDK-së dhe Ibrahim Rugovës që të marrin përgjegjësi që kërkonte koha ishte vija ndarëse përfundimtare midis Adem Demaçit dhe Ibrahim Rugovës. Madje , për më keq , LDK –ë bëri çmos ta pengojë luftën e UÇK-së , që është e vërtetë faktike . Po ta merrte Ibrahim Rugova përgjegjësinë , ushtarin më të vendosur dhe krahun e djathtë do ta kishte pikërisht Bacën Adem Demaçi. Mirëpo Rugova nuk ishte i rreziqeve , ishte intelektual josakrifikues që kapej pas fustanellave të popave të “ Shën Exhidios “ të cilët edhe ia shpëtuan jetën duke e dërguar në Itali . Me zgjerimin e luftës dhe nevojën që UÇK- ë të kishte një krah politik , Adem Demaçi në Prishtinë hapi Zyren e Përfaqësuesit Politik të UÇK –së të cilit iu ofrua , pa asnjë hezitim Albin Kurti , njëri ndër udhëheqësit studentorë. Tash shtrohet pyetja pse pikërisht Baca Adem Demaçi ishte në krye të Zyres së UÇK-së në Prishtinë ?! Përgjigja ishte dhe është shumë e thjeshtë ; në atë kohë nuk do ta gjeni asnjë shqiptar që do të merrte përsipër rrezikun që e mori Adem Demaçi . Në atë kohë edhe Albin Kurti mori rrezikun për jetën . Realisht Adem Demaçi dhe Albin Kurti sikur edhe bërthama e ngushtë e Zyres së UÇK-së në çdo sekondë gjatë 24 orëve e kishin jetën në rrezik. U zhvilluan siç u zhvilluan ngjarjet , u dëbuan dhunshëm 800.000 shqiptarë me ta edhe Ibrahim Rugova , Albin Kurti me babanë dhe vëllezëritë u arrestuan dhe në shtëpi mbeti vetën nëna e Albinit Arife Kurti e cila nuk humbi asnjë minutë dhe me guxim të jashtëzakonshëm kërkonte të shoqin dhe djemtë e saj. Fehmi Agani kaloi në ilegalitet në Prishtinë deri në kohën kur hypi në tren për Maqedoni dhe pasi Policia serbe e ktheu trenin në Han të Elezit , në livadhin e Bresjes u detyruan të zbresin të gjithë udhëtarët . Pas fillimit të legjitimimit , me ta mësuar identitetin e Fehmi Aganit , ai u ekzekutua nga policia serbe. Po në të njëjtën kohë njësiti special i UÇK-së ka dashur ta bëjë tërheqjen e Bacës Adem Demaçi nga Prishtina në një vend më të sigurt. Mirëpo Baca Adem nuk ka pranuar në asnjë mënyrë të largohej nga Prishtina dhe Kosova . Edhe me rrezikun e humbjes së jetës. Madje , gjatë shetitjes së vetmuar të Bacës Adem rrugëve të Prishtinës kur qytetarët largoheshin si lumi një policë i Serbisë i drejtohet Bacës me fjalë : “ Demaçi , ode ti narod , kako qe da zhivish sam , idi i ti ..Demaçi , të shkoi populli , si do të jetosh i vetmuar , shko edhe ti…” . Baca më tregonte se përgjigja e tij ishte se edhe nëse në Prishtinë nuk do të mbetej as edhe një njeri i vetëm , ai nuk do të largohej …” Me një fjalë , Fehmi Agani u vra në Bresje , Ibrahim Rugova u transferua në Itali , Albin Kurti u rrah mizorisht dhe përfundoi si rob lufte në llogorin e Pozharevcit . Baca Adem Demaçi ,mbeti në Prishtinë sepse edhe nëse do të bartej dhunshëm jashtë Kosovës , përsëri do të kthehej në Kosovë .
Hamleti apo Miza e Kalit , nga perspektiva e prapanicës së siguruar : Driton Selamanaj është një deputet i LDK-së që njihet me një fjalor të rreptë , të sertë dhe helmues ndaj UÇK-së dhe ushtarëve të UÇK-së. Tash flet me guxim ndërsa nuk ka ndonjë histori që e lidhë me luftën . Ndoshta mosha është në pyetje mirëpo , ma merr mendja se , së paku , nëse nuk ka pasur mundësi të kapë armën gjatë luftës atëherë ka pasur mundësi ta luajë rolin e Debatikut. Dilemat që i ka ngritur se pse qenka vrarë Fehmi Agani dhe nuk janë vrarë Albin Kurti dhe Adem Demaçi janë dilema të Hamletit në formë të Mizes së Kalit . Atëherë shtrohet një pyetje , pse qenka vrarë Fehmi Agani e nuk qenka vrarë Ibrahim Rugova . A pak i duket Hamletit – Mizes së Kalit vrasja e Adem Demaçit gjatë 30 vjetëve burg të rëndë në llogoret e ish – Jugosllavisë por se qenka dashur që ta vrasin për ta plotësuar tablon paranoike të Mizes së Kalit ?! Edhe sa i përket Albin Kurtit Miza e Kalit nuk mund ta gjejë asnjë vërejtje për Albinin e asaj kohe , as në planin kombëtar , as politikë e as gatishmërisë për t’u sakrifikuar çdo kohë në shërbim të popullit dhe atdheut. Driton Selamanaj ka arsye dhe mundësi të merret me Albin Kurtin , si kryeminister aktual për shumë gjera të bëra dhe të pabëra por nuk ka as edhe kreditin më të vogël moral , kombëtar , politik dhe njerëzorë të merret me Albin Kurtin e Zyres së UÇK-së ! Kjo do t’i ngjante një lufte midis buburrecit dhe elefantit ! Driton Selmanaj dhe shumë deputetë sot janë ulur në karriken e deputetit falë luftës dhe vuajtjeve të ish të burgosurve politikë , falë luftës së lavdishme të së Lavdishmes Ushtri Çlirimtare të Kosovës , falë sakrificës së Komandantit Legjendar Adem jashari dhe falë Vetëmohimit dhe Sakrificës Biblike të Bacë Adem Demaçit . Askush nuk mund dhe nuk duhet ta sulmojë Driton Selmanaj se e paska përkrahur Ibrahin Rugovën sepse edhe Rugova është pjesë e historisë ose pse e admiron Fehmi Aganin por se duhet të tregojë respekt edhe për këta që e sollën këtë liri që e kemi , që e shkatërruan vëllazërim – bashkimin dhe e rënuan socializmin vetqeverisës jugosllav . Liria dhe karrika ku është ulur Driton Selmanaj dhe mohues të pacipë të sakrificës ka vetëm një emër : Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe të atyre që me sakrificën e tyre kanë kontribuar për këtë emër prej kohës kur ka filluar robëria ndaj shqiptarëve e deri sa janë çliruar . Historia është sport i pamëshirshëm ; ta jepë mundësinë të hyshë në lojë kur luhet loja por nuk lejon të bëhesh pjesë e lojë kur përfundon loja . Qartazi dikush ka munguar gjatë krijimit të historisë dhe tash vetëm i mbetet ta lexojë historinë ! I pëlqeu apo jo !