Profesori universitar, Gëzim Qerimi, vlerëson se Kosova nuk ka pasur asnjë përparim në rrafshin e anëtarësimit në organizata ndërkombëtare.
Ai në një intervistë për Ekonomia Online, tha se nuk pret anëtarësim të Kosovës në Këshillin e Evropës, përderisa Kosova nuk e zbaton marrëveshjen e Brukselit dhe aneksin e Ohrit.
“Kosova ka pasur një kriter themelimin e bashkësisë komunale me shumicë serbe për tu bërë pjesë e Këshillit të Evropës. Jemi të gjithë dëshmitarë që kemi qenë pjesë e agjendës si rezultat i mosaplikimit të themelimit të bashkësisë së komunave me shumicë serbe është larguar nga agjenda. Nuk pres të ketë anëtarësim, përderisa Kosova nuk e zbaton marrëveshjen e Brukselit dhe aneksin e Ohrit. Krejtësisht varet prej veprimeve tona apo institucioneve të reja, që do të themelohen në vijim. Ne jemi dëshmitarë që në momentin e fundit ka ofruar zotime letra e famshme e kryeministrit dhe ministres së Punëve të Jashtme, që do ta themelojë Bashkësinë me shumicë serbe, por në realitet ka qenë zotim i vonshëm dhe kemi dalë joseriozë ndaj partnerëve tanë ndërkombëtarë”, tha Qerimi.
Ai mendon se Kosova njëherësh ka pasur ngecje në planin e njohjeve ndërkombëtare të pavarësisë.
“Për këto katër vjet, Kosova nuk ka pasur asnjë progres sa i përket anëtarësimit në organizata ndërkombëtare. Përkundrazi, ka pasur regres të gjithmbarshëm. Nuk kemi pasur asnjë rezultat të punës së qeverisë dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme. Tani kemi një njohje pas pesë vjetësh dhe që është si rezultat i lobimit të Behgjet Pacollit, një politikan që ka merita në fushën e njohjes në arenën ndërkombëtare”, tha ai.
Qerimi gjithashtu theksoi se anëtarësimi në NATO është prioriteti më i rëndësishëm për sigurinë e vendit dhe se Kosova duhet të veprojë pakompromis për Këshillin e Evropës, duke krijuar Bashkësinë e Komunave pa dhënë autonomi politike për serbët.
“Qeveria ka pasur një dështim fatal, Kosova duhet t’i vendos prioritetet dhe ajo më e rëndësishme është anëtarësimi në NATO, sepse situata e Kosovës në radhë të parë është çështje e sigurisë dhe nuk ka asnjë anëtarësim më të rëndësishëm sesa anëtarësimi në NATO.
Nuk do të duhej që Kosova të bëjë kompromise për anëtarësimin në Këshillin e Evropës, por do të duhet që ta themelojë Bashkësinë e komunave me shumicë serbe pa krijuar autonomi politike për serbët në këmbim të anëtarësimit të shpejtë në NATO”, përfundoi Qerimi.