Kryetari i Këshillit për mbrojtjen e të drejtave të luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Xhevdet Qeriqi, ka thënë që kryeministri Albin Kurti nuk e ka hapur asnjëherë temën lidhur me mundësinë e përfshirjes së veteranëve të luftës në kriterin e pagës minimale.
“Për besë të them të drejtën nuk e kam besu që do të ndodhë kjo për arsye se ne dy takime i kemi pasë prej se është në qeverinë Kurti 2 me z. Kurti edhe kemi diskutuar për tema të ndryshme, për hallet, për problemet e luftëtarëve të gjitha kategorive, po ashtu iu kam drejtuar edhe me shkrime, kërkesa për të gjithë ato shqetësime që i kemi ne sidomos në shoqatën e invalidëve të luftës, edhe gjatë dy takimeve asnjëherë nuk e ka hapur si temë se do të bëjë ndryshimin e ligjit të pagës minimale, edhe në anën tjetër, do t’i lë anash veteranët e luftës”, ka thënë Qeriqi në Klan Kosova.
“Jo s’kemi diskutu sepse nuk e ka hapur si temë. Kemi besuar sepse ashtu është paraparë me ligjin aktual kështu që kemi besu që në momentin që do të rritet paga minimale automatikisht edhe veteranëve do t’u rriten pensionet”.
Qeriqi tha se kjo temë mund të jetë diskutuar me të tjerët por jo edhe me ta, dhe se ai ka pritur që Kurti të veprojë marrë parasysh se ia ka paraqitur hallet e veteranëve, ndonëse ai vetë nuk ia kishte hapur këtë temë Kurtit.
“Është diskutuar me dikë tjetër mirëpo me ne si shoqata nuk është diskutuar. Tash ne kemi diskutuar bukur gjatë në dy takime kanë zgjatur, secili takim ka zgjatur më tepër se një orë mirëpo ai nuk e ka hapur si temë. Përderisa nuk e ka hapur si temë, ia kemi paraqitur ato shqetësimet, edhe kërkesat tona me të cilat përballen kategoritë e luftës”.
“Me shkrim ia kam paraqitur secilën pikë, secilin problem për secilin luftëtar edhe më pas na ka ftuar, edhe kemi diskutuar bukur gjatë. Asnjëherë nuk e ka hapur temën e ligjit të pagës minimale”.
“Ligji aktual në momentin që ndryshohet , automatikisht është dashur që me ligjin e veteranëve të ngrihet pensioni kështu që nuk e ka hapur as ai si temë edhe ne nuk e kemi hapur aty duke shpresuar se automatikisht në momentin që bëhet ndryshimi i ligjit të pagës minimale ,edhe veteranët do ta gëzojnë të drejtën dhe do të kenë ngritjen në pensionet e tyre”.