Takimi i radhës i Komisionit Qeveritar për Persona të pagjetur kësaj here ka nisur me një minutë heshtje në përkujtim të viktimave të masakrës së Srebrenicës.
Kryetari i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Prenka Gjetaj tha se në pamundësi për të qenë prezent në homazhe në shënimin e masakrës së Srebrenicës duan që sot t’i përkujtojnë ata që pësuan njëjtë si shumë qytetarë të Kosovës, raporton Ekonomia Online.
Bajram Qerkini, përfaqësuesi i familjarëve të Pagjeturve reagoi ndaj vendimit të rektoratit të UP-së që beneficionet për regjistrim do të vlejnë vetëm për familjet e dëshmorëve, ku tha se u neglizhuan familjarët e të pagjeturve.
Kushtrim Gara nga Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur prezantoi aktivitetet gjashtë mujore të komisionit qeveritar.
Ndërsa pas takimit Gjetaj dhe Qerkimin mbajtën një konferencë për media në të cilën dhanë detaje rreth takimit të sotëm.
Gjetaj tha se nuk mund të jenë të qetë përderisa ende 1658 persona evidentohen si të zhdukur.
Ai tha se gjetja e personave të zhdukur është përgjigja e cila do t’i jepte fund ankthit të tyre.
Bajram Çerkinaj, duke iu referuar përfundimit të gërmimeve në Kizhevak, tha se loja e serbëve me shqiptarët po vazhdon ende.
“Lojën e serbeve shqiptarët s’po mund ta ndalin. Kemi qenë në Kizhevak e kam pyetur zëvendësprokurorin pse po e mbyll çështjen e Kizhevakut kur dikur ke thënë se i ke tre dëshmitarë për këtë lokacion”, ka thënë ai.
Ai tha se për të bërë pajtim me Serbinë çdo familjar duhet ta dijë vendndodhjen e atyre që janë zhdukur.
Ndërsa bëri të ditur se është kërkuar që një përfaqësues ndërkombëtar të jetë kryesues i çështjes së të pagjeturve, por ka qenë pala serbe që nuk e ka pranuar këtë.
Përfaqësuesit qeveritarë dhe ata të familjarëve shprehen shqetësimin e tyre edhe sa i përket mospjesëmarrjes së EULEX-it në konferencën e Gjenevës.