Qeveri që e frikëson qytetarin e vet!

Prishtinë | 09 Mar 2022 | 16:23 | Nga Halil Matoshi

1.
Vrapi me bâ stoqe me artikuj ushqimor âsht nxitë nga vet Qeveria, tue folë me lehtësi t’padurueshme për luftën, (për mundësinë e ndonji inkursioni të Serbisë në Veri të Kosovës) tue fillu nga nji Presidente e papërgjegjshme e konfliktuoze, nga Kryetari i Kuvendit që gjatë nji takimi me Kryetarin e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut tha se “duhet ta mendojmë skenarin më të keq me Serbinë” tue lânë me kuptu se “mund” me ndodh diçka, e as vet s’e din se çka!?
Porse në retorikat qesharake e patetike për luftën, mas’largu shkoi Ministrja e jashtme, që tha se “kemi paralajmëruar partnerët, Serbia mund të ketë plane për të sulmuar veriun”, qesharake për faktin se “ka plane” dhe “mund të këtë” plane janë dy premisa, që Qeveria duhet me ditë me i dallu, aq ma tepër kur u flet diplomatëve të huej, sepse del e pabesueshme dhe patetike!?

2.
Asnjâni as tjetri s’dijnë çka flasin!
Kryeministri ndonëse mâ i përmbajtun, i tha Kuvendit të jetë i brengosur me ndikimin që mund të ketë kjo luftë e re, shumë e madhe, në rajonin tonë…
Por pa i shpërfillë rrethanat e krijuen në Europë, mas agresionit rus mbi Ukrainën, fjalimet e retorikat e forta të qeveritarëve duhet ndalë, informacionit që ndërlidhën me sigurinë duhet të jenë të kujdesshme, mesazhet e Qeverisë për qytetarët duhet të jenë të sinqerta dhe të vërteta, e pa kalkulime të politikave ditore, mbi të gjitha të sakta!
Qytetarët kanë të drejtë të ndihen të sigurt e të mbrojtun, në çdo rrethanë.

3.
Albin Kurti duhet t’i thotë popullit se luftë s’do të këtë, sepse as Serbia dhe as Rusia dhe askush tjetër nuk ka me prek asnji cep toke, pjesë të NATO-s apo ku ka prani të NATO-s, as sot dhe as në të ardhmën! Aq ma pak Kosovën, që ka garanci të dyfishtë: Prani e NATO-s që kujdeset për sigurinë e saj me mandat të Këshillit të Sigurimit dhe të Bondsteell-it, si bazë amerikane.

4.
Secili zyrtar shteti që flet se mund të ndodh “diçka në Veri” se “Serbia munet me sulmu Kosovën” ose që ka dhânë informacione të tilla për ndonji institucion, qoftë nga injoranca apo frika, âsht thjesht nën optimumin e detyrës, ka cënu qëndrueshmëninë psiko-sociale në vend, tue ngarku jetën e qytetarëve me brengâ të paqena, sëkëndejmi duhet me dhânë përgjegjësi.

5.
Krijimi i psikozës së luftës, poashtu âsht e ndërlidhun me Fondin e Sigurisë, të cilin Qeveria e krijoi pa mbështetje në Kushtetutë e ligj e tue shfrytëzu momentumin e nji krize të madhe në Europë, e që mënyra e tillë e finansimit të ushtrisë kombëtare, në thelb, nuk âsht model i ushtrive të NATO-s, që synon me e mbrri Kosova!?

6.
Vetëm shtetarë mendjelehtë e t’papërgjegjshëm krijojnë psikozë lufte, në kohë paqje, pa asnji informacion kredibil.

7. Në këtë psikozë lufte kanë ndiku edhe dy mërgimtarë kosovarë, pa asnji influencë në shtetin ku jetojnë, me spekulimet e tyne, i pari nji ish zyrtar sigurie i ShBA-së, në pension Muharrem Maralusha tue thanë së “shqiptarët duhet me kriju rezerva ushqimi për gjashtë muej” dhe i dyti, Uk Lushi, ish ushtar i UÇK-së, i cili, papërgjegjshëm u thirr në inteligjencën e nji vendi european së kinse Putin e Vučić e kanë në plan me i shti në Veri të Kosovës 50 zyrtarë ushtarakë (të inteligjencës ruse?) për destabilizimin e Kosovës!?

Dhe nji media jo gjithherë profesionale u jep hapësirë dy personave privatë për me kriju lajme drithëruese!?

8.
Çmimet e rrituna në mënyrë artificiale dhe stihike janë pasojë e këtyne deklaratave të papërgjegjshme të pushtetit. Sepse tregtarët mezi presin simptoma të krizave për përfitime.
Por nëse “ dikush çmendet” kjo nuk do me thânë se duhet të çmendemi të gjithë.
Pra pos çmimeve të energjisë dhe derivateve të naftës, tjerat janë false!

P.S.

Siguria në Kosovë (përfshi veriun) e rajon âsht stabile, në bazë të parametrave të gjeopolitikës dhe indikatorëve potencialë për konflikt.
Luftë nuk do të këtë: Qobanit që bërtet rrejshëm “Ujku” – ma s’i beson kush edhe me i ra ujku së vërteti!?
Kujdes!

Të ngjashme