Vetëm një javë pasi ka hyrë në fuqi vendimi i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë për vendosjen e masave mbrojtëse për 21 produkte pemë dhe perime, Qeveria e Kosovës e ka ndryshuar atë, duke hequr taksën doganore për 30 për qind për 14 produkte, shkruan sot Koha Ditore.
Me ndryshimet e bëra kishte ndërprerë masat e përkohshme mbrojtëse në importe për pataten, karotën, trangullin, shalqirin, pjeprin, lakrën e hershme, fasulen monokulture, dredhëzën, manaferrën, qershinë, misrin, spinaqin, qepën dhe sallatën.
Masa e përkohshme e mbrojtjes ka vazhduar për 7 produkte, domaten, specin, mollën, dardhën, kumbullën, mjedrën dhe rrushin e tryezës, deri të martën, kur Qeveria e shfuqizoi atë.
Lidhur me këto masa ka pasur ankesa nga përpunuesit e pemëve dhe perimeve, sipas të cilëve ato kanë ndikuar në rritje të çmimit për lëndën e parë, e cila sipas tyre ka ndikuar në rritje të çmimit të produktit final.