Qeveria britanike shpall gjendjen e thatësirës në disa pjesë të vendit

Prishtinë | 12 Gus 2022 | 15:16 | Nga Ekonomia Online

Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar të premten deklaroi zyrtarisht gjendjen e thatësirës në disa pjesë të Anglisë, pas muajve me reshjeve të pakta dhe temperaturave rekord në javët e fundit.

Agjencia e Mjedisit e qeverisë britanike bëri të ditur se “pragu i shkaktimit të thatësirës ishte arritur” në tetë rajone të Anglisë teksa në raport shkruhej se vendi po përjetonte sezonin më të thatë që nga viti 1935.

Moti i thatë dhe temperaturat e larta kanë bërë që edhe Franca të përballet gjithashtu me një thatësirë rekord teksa po lufton me zjarre të mëdha.

Autoriteti meteorologjik i Mbretërisë së Bashkuar, tha se gjatë periudhës nga janari deri në qershor të këtij viti u regjistruan reshjet më të pakta në Angli dhe Uells që nga viti 1976.

Në deklaratën e qeverisë thuhet se marrja e vendimit për të shpallur statusin e thatësirës bazohej në faktorë të tillë si reshjet, rrjedhat e lumenjve dhe nivelet e ujërave nëntokësore dhe rezervuarëve dhe ndikimi i tyre në furnizimin publik me ujë.

“Ne i bëjmë thirrje të gjithëve të menaxhojnë sasinë e ujit që po përdorin në këtë periudhë jashtëzakonisht të thatë,” deklaroi kryetari i Grupit Kombëtar të Thatësirës, Harvey Bradshaw.

Agjencia e Mjedisit dhe kompanitë e ujit “do të shtojnë masat e tyre për të menaxhuar ndikimet” dhe do të vazhdojnë me planet e tyre të publikuara për thatësirën, duke përfshirë racionimin e ujit.

Ai theksoi se “furnizimet thelbësore të ujit të pijshëm janë të sigurta”.

Qendra Kombëtare e Informacionit për Klimën tha se temperatura të tilla të larta në Mbretërinë e Bashkuar ishin të mundshme vetëm për shkak të ndryshimeve klimatike të shkaktuara nga njerëzit.

Të ngjashme