Qeveria e ka në plan që gjatë vitit 2019 t’ia rrisë borxhin Kosovës për 328 milionë euro. Më shumë se gjysmën e kësaj shume synon ta marrë si kredi nga institucione financiare ndërkombëtare, ndërkaq pjesën tjetër ta sigurojë brenda vendit, nëpërmjet lëshimit të letrave me vlerë.
Borxhi i planifikuar është përtej atij që është përshkruar në Programin e Borxhit Shtetëror për vitin 2020-2022, një kopje të të cilit e ka siguruar gazeta.
Sipas këtij dokumenti, borxhi i brendshëm që në fund të 2018-s ka qenë 676 milionë euro, deri në përmbyllje të vitit 2019 do të shkojë në 815 milionë euro. E për të jashtmin theksohet se në fundvitin e shkuar ishte 416 milionë euro dhe deri në përmbyllje të vitit do të shkojë në 559 milionë euro, shkruan sot Koha Ditore.
Shuma e të dyja huave, bashkë me 44 milionë euro sa është garancia aktuale shtetërore, përbën rekord të lartësisë së borxhit vjetor. Do të jetë 1 miliard e 418 milionë euro, sa trefishi i 2013-s kur ishte 476 milionë euro.
Por bazuar në të dhënat e Ministrisë së Financave, borxhi do të jetë edhe më i lartë, ani se Programi i Borxhit Shtetëror është miratuar në Qeveri vetëm dy javë më parë.
“Planifikimi buxhetor në vitin 2019 për huamarrjen shtetërore është në shumën 328 milionë euro, prej të cilave huamarrje ndërkombëtare në shumën 193 milionë euro, ndërsa huamarrje e brendshme (e cila realizohet përmes emetimit të Letrave me Vlerë) në shumën 135 milionë euro”, thuhet në një përgjigje të shkruar të Ministrisë.