Qeveria dorëzohet – AKK thotë se është shtyrë për vitin 2026 zbatimi i normës tatimore progresive për prona komerciale

Prishtinë | 31 Tet 2024 | 10:26 | Nga Ekonomia Online

Asociacioni i Komunave të Kosovës, përmes një njoftimi për media, ka bërë të ditur se është shtyrë për vitin 2026 zbatimi i normës tatimore progresive për prona komerciale nga ana e Qeverisë.

Në njoftim thuhet se kjo është bërë pas presionit dhe insistimit të Asociacionit, që në vazhdimësi ka thënë se kjo normë është ngarkesë dhe barrë e rëndë e shtuar për pronarët e pronave të paluajtshme komerciale.

“Në mbledhjen 227 të Qeverisë së Republikës së Kosovës, Ministri i Financave, Transfereve dhe Punës z.Hekuran Murati paraqiti Ligjin e Buxhetit për vitin 2025. Në elaborimin e dispozitave të këtij Ligji, ministri Murati ndër të tjera njoftoj se është futur dispozita që ka të bëjë me shtyrjen e afatit për zbatimin e tatimit të normës tatimore progresive në pronat e paluajtshme komerciale për vitin 2026”, thuhet në njoftim.

AKK e ka mirëpritur këtë vendim të ekzekutivit.

“Asociacioni i Komunave të Kosovës mirëpret këtë vendim të Qeverisë duke vlerësuar se kërkesa jonë ka qenë e arsyeshme dhe e argumentuar me fakte se kjo është e panevojshme në këtë fazë. Vlen poashtu të ceket se shumica e komunave të Republikës së Kosovës ia kanë ulur tatimin në pronë qytetarëve për rreth 33 %”, thuhet në njoftim.

Të ngjashme