Qeveria e dytë teknike në Maqedoninë e Veriut, prej sot e deri në njëqind ditët e ardhshme do të udhëheq me Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe ajo do t’i organizojë zgjedhjet parlamentare, për të cilat liderët e partive politike arritën marrëveshje që të mbahen më 12 prill.
Zëvendëskryeministri i deritanishëm dhe ministër i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, do ta kryesojë qeverinë teknike në tre muajt e ardhshëm, ndërsa në krye të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe të Punës dhe Politikës Sociale janë Naqe Çulev dhe Rahela Mizrahi, të cilët janë propozim i VMRO-DPMNE-së opozitare.
Në pajtim me vendimin ligjor, kryeministrin teknik e propozon partia në pushtet, partia më e madhe opozitare i propozon ministrin e Punëve të Brendshme dhe të Punës dhe Politikës Sociale. Pushteti ka zëvendës të vetë në MPB dhe MPPS, ndërsa opozita ka zëvendës të vetë në Ministrinë e Financave, të Shoqërisë Informatike dhe Administratës dhe të Bujqësisë.
Zëvendësministra në MPB dhe në MPPS janë Sllavjanka Petrovska dhe Sanella Shkrijell, ndërsa zëvendës në Ministrinë e Financave, të Bujqësisë dhe të Shoqërisë Informatike dhe Administratës janë Gordana Dimitrieska Koçoska, Cvetan Tripunovski dhe Nevenka Stamenkovska Stojkovski.
Ndryshime në përbërjen lidhur me qeverinë e fundit të kryeministrit Zoran Zaev, i cili dje në mëngjes dha dorëheqje ka vetëm në pjesën e ministrave të propozuar dhe zëvendësve nga VMRO-DPMNE-ja dhe LSDM-ja, si dhe në vendin e zëvendëskryeministrit për çështje ekonomike. Në vendin e Koço Angjushev, i cili dha dorëheqje, do të jetë Mila Carovska, e cila ishte ministre e Punës dhe Politikës Sociale.
Spasovski është zëvendëskryeministër i deritanishëm dhe ministër i Punëve të Brendshme, ndërsa si kryeministër në qeverinë teknike vjen me propozim të organeve më të larta të partisë së tij amë.
Në funksionin ministër i Punëve të Brendshme për herë të tretë është zgjedhur në maj të vitit 2017. Në periudhën e viteve 2006-2008, 2011-2014 dhe 2016-2017 ishte deputet në Kuvend.
Paraprakisht kishte punuar si sekretar në Komunën e Kumanovës dhe si këshilltar i kryetarit të Kumanovës. Sipas biografisë së Spasovskit të publikuar në ueb-faqen e MPB-së, ai ka diplomuar në Fakultetin Juridik “Justiniani i Parë” pranë Universitetit “Shën Cirili dhe Metodi” në Shkup, ndërsa për momentin është magjistër i Të Drejtës Administrative në fakultetin e njëjtë.
Ai është kryeministri i dytë teknik në historinë e vendit. I pari ishte Emil Dimitriev, i cili e ka kryesuar qeverinë teknike që i organizoi zgjedhjet e parakohshme më 11 dhjetor të vitit 2016./