Për avancimin e njohurive në sektorin e bujqësisë dhe agrobiznesit, studentët kosovarë të këtij sektori do të përkrahen për studime të mëtejme jashtë vendit.
Qeveria e Hungarisë, ashtu si edhe viteve të kaluara, në bashkëpunim me FAO-n, edhe sivjet do të mbështesë studimet master për studentët e fushës së bujqësisë dhe veterinarisë me ndarjen e bursave për vitin akademik 2017/2018.
Bursat e fituara në kuadër të mbështetjes së Qeverisë hungareze për arsimin e lartë në Kosovë, do të përfshijnë studimet në fushën e zhvillimit rural dhe të agrobiznesit, në hortikulturë, si dhe në menaxhimin e bujqësisë dhe të ujërave.
Aplikimi për të përfituar në kuadër të këtij programi, ka filluar qysh më 4 janar të këtij viti dhe do të zgjasë deri më 27 shkurt të këtij viti, ndërkaq aplikacionin dhe informatat për të gjitha dokumentet e nevojshme për këtë aplikim të gjithë studentët mund t’i dërgojnë në këtë e-mail: [email protected].
Ndryshe, ndarja e këtyre bursave për studentët kosovarë, është vazhdimësi e një bashkëpunimi mes MBPZhR-së dhe Ministrisë së Bujqësisë të Hungarisë, gjë që po ndikon që studentët kosovarë të marrin studime të avancuara në universitetet hungareze, që më pas të sjellin përvoja të reja në zhvillimin e bujqësisë në Kosovë.