Qeveria e Kosovës dhe MCC-ja diskutojnë për grantin prej 237 milionë dollarë

Prishtinë | 05 Kor 2022 | 09:35 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Delegacioni amerikan i Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC) dhe ai i Republikës së Kosovës në lidhje me programin Kompakt të MCC-së, kanë mbajtur mbledhje, me ç’rast u fol për grantin e fundit prej 237 milionë dollarësh, raporton Ekonomia Online.

Nga ky financim, 200 milionë dollarë do të vijnë në formë të grantit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës përmes MCC-së, rreth 35 milionë dollarë do të jenë kontribut nga Qeveria e Kosovës, kurse 2 milionë do të jenë fonde nga Institucioni Amerikan i Katalizatorit për Zhvillim (ACFD).

Programi do t’i përfshijë tri projekte:

  • Rezerva dhe arbitrazh të energjisë (bateritë me kapacitet  170 MW, që ofrojnë rezervë 340 MWh),
  • Zhvillimi i fuqisë punëtore dhe përfshirja e grave në sektor të energjisë, dhe
  • Projekti i Institucionit Amerikan të Katalizatorit për Zhvillim

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, tha se Kosova do të kursejë të paktën 15 milionë euro në vit nga programi i ri kompakt i Korporatës të Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC), raporton EO.

“Ky program do të sjellë në Kosovë rezerva të energjisë përmes baterive të kapacitetit të lartë rreth 347 megavat orë rezerva, të cilat do të kryejnë funksionin e stabilizimit të frekuencave të rrjetit si dhe shfrytëzimit të energjisë së ruajtur gjatë natës në orët më të ngarkuara gjatë ditës, që do të thotë ulje të importit të shtrenjtë të energjisë”, tha Rizvanolli.

Ministrja shtoi se programi po ashtu do të zhvillojë shkathtësitë e fuqisë punëtore dhe tenton të përfshijë sa më shumë gra në sektorin e energjisë.

“Programi kompakt do të mundësojë një tranzicion të shpejtë dhe të drejtë energjetik në Kosovë në një të ardhme me energji të ripërtërishme. Strategjia e energjisë, siç e dini, parasheh instalimin e së paku 1,400 megavatëve kapacitete të energjisë diellore dhe të erës, të cilat do të kyçen në rezerva për t’u shfrytëzuar në kohërat kur nuk kemi erë ose diell të mjaftueshëm me anë të baterive që do t’i blejmë përmes këtij programi”, tha Rizvanolli.

Ndërkaq, drejtoresha e MCC-së për Kosovën, Sarah Olmstead, tha se programi kompakt vjen në kohën kur bota po përballet me krizën energjetike, që po nxitet edhe më shumë nga lufta e Rusisë në Ukrainë.

“Të gjithë [në bordin e MCC-së] ishin të entuziazmuar për këtë program. Kam dëgjuar nga të gjithë përfaqësuesit se sa kritike dhe sa në kohë të duhur është ky program dhe me të vërtetë e shohin këtë si fuqi për të ndihmuar Kosovën në energjinë e pastër dhe duke pasur parasysh luftën në Ukrainë dhe sfidat e dimrit të kaluar, ndjenja ishte se Kosova nuk duhet të humbë kohë që të marrë këtë program”, tha ajo.

Olmstead tha po ashtu se është e lumtur që programi përqendrohet edhe në zhvillimin dhe përkrahjen e grave, teksa shtoi se Kosova ka një prej shkallëve më të ulëta në botë të pjesëmarrjes së grave në tregun e punës.

Ajo tha se pret që programi kompakt të nënshkruhet gjatë këtij muaji, në mënyrë që më pas të mund të ratifikohet nga Kuvendi i Kosovës, teksa Rizvanolli tha se po punojnë që ratifikimi i marrëveshjes me MCC-në të ndodhë sa më shpejtë.

Të ngjashme