Kryeministri i vendit, Albin Kurti, Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli dhe Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati kanë zhvilluar diskutime me Korporatën e Sfidës së Mijëvjeçarit (MCC); Drejtoreshën Menaxhuese për Evropë, Azi, Shtetet Pacifike dhe Amerikën Latine, Caroline Nguyen, dhe Drejtoreshën për Kosovë, Sarah Olmstead rreth dizajnimit të programit të kompaktit.
Duke pasur parasysh afatin kohor strikt për të zhvilluar dhe nënshkruar Programin e Kompaktit dhe që Qeveria e Kosovës kërkon informata të mëtejshme për të qenë në gjendje të marrë vendim të mirë-informuar për të ndërtuar infrastrukturën e gazit, Qeveria e Kosovës ka vendosur që të përdorë programin kompakt për investime në projekte që kanë më shumë siguri por që gjithashtu kontribuojnë në mënyrë domethënëse drejt tranzicionit energjetik të Kosovës, thuhet në komunikatë.
Tutje thuhet se pas diskutimeve, qeveria kosovare dhe ekipi i MCC-së kanë nënshkruar një Aide Memoire (Memorandum Ndihme), për të hapur rrugën drejt implementimit të programit dhe partneritetit në ndërtimin e një të ardhme më të mirë për Kosovarët.
“Së bashku, MCC-ja dhe Qeveria e Kosovës janë duke punuar drejt një pejsazhi energjetik që mundëson zhvillimin e bizneseve dhe një tranzicion të drejtë energjetik për Kosovën. Aide Memoire i nënshkruar nga Ministrja Rizvanolli dhe Drejtoresha Nguyen ka për qëllim të thellojë zhvillimin e programit të kompaktit të propozuar mes Qeverisë së Kosovës dhe MCC-së. Kjo vjen si vazhdimësi e punës së përbashkët mes Qeverisë së Kosovës dhe MCC-së për të identifikuar dhe zhvilluar investimet infrastrukturore që do të ndihmojnë Kosovën të arrijë rritje ekonomike të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse”, thuhet në komunikatë.
Përderisa, Ministria e Ekonomisë në Kosovë ka filluar punën në draftimin e Tranzicionit të Energjisë të Kosovës, një barrierë kyçe për zhvillimin e sektorit privat dhe për krijimin e vendeve të punës në Kosovë mbetet paqëndrueshmëria e sektorit të energjisë që krijon kosto të larta për firmat – deri në €350 për vit.
Për të adresuar këtë pengesë ekonomike, Qeveria e Kosovës së bashku me MCC, kanë identifikuar një hapësirë për investime potenciale të kompaktit të përfshira në Aide Memoire të cilat fokusohen në akumulim të energjisë, forcimin e rrjetit të energjisë elektrike dhe zhvillimin e fuqisë punëtore me përfshirje gjinore dhe ngritje të kapaciteteve.