Një kontratë prej 47 mijë e 757 eurove ka lidhur Zyra për punë të përgjithshme dhe të përbashkëta të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut me një kompani private për furnizim me lule të freskëta.
Buqetat e dekoruara të luleve prej më të ndryshmeve kanë çmimin nga 2 mijë e 100 deri në 5 mijë e 900 denarë.
Kompania fituese, tenderin e ngjashëm e fiton për të tretin viti radhazi, ndërsa nga Qeveria thonë se kanë zgjedhur më të lirën.
“Sipas ligjit, prokurimi publik ishte shpallur në mënyrë transparente dhe në të mund të merrnin pjesë të gjitha kompanitë e interesuara. Kompania është përzgjedhur sipas ofertës më të lirë në treg”, thonë nga Qeveria e RMV-së.
Kjo marrëveshje është lidhur më 4 shkurt të këtij viti.
Në tregun e luleve në Shkup, shitësit na bënë një përllogaritje të një buqetë identike që është në ofertë, dhe doli të jetë 500 denarë më e lirë pa përfshirë tvsh, por që në çmimet me shumicë janë edhe më lirë.
Në ditën e të dashuruarve shitësit e luleve thonë se ka rënë kërkesa e blerjes së luleve, jo nga që qytetarët tanë nuk janë romantik, por thonë se në këtë krizë më ato para blejnë bukë./alsatm