Ofensiva diplomatike e Serbisë për t’ia anuluar njohjet shtetit të Kosovës ka marrë hov. Vetëm gjatë fundjavës zyrtarët serbë pretendojnë t’ua kenë ndryshuar qëndrimin dy shteteve të tjera, përkatësisht Grenadës dhe Dominikas.
Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës vetëm deklarativisht ka mohuar se këto shtete e kanë kthyer mbrapa vendimin për njohje. Por këtë nuk e kanë dëshmuar me konfirmim zyrtar, shkruan sot “Koha Ditore”.
Mëngjesin e së dielës shefi i diplomacisë serbe, Ivica Daçiq, ua kumtoi medieve në Beograd lajmin se Grenada e ka tërhequr njohjen e Kosovës. Këtë “triumf” e ka paraqitur pas bisedës me homologun nga ky shtet, Peter David.
“Mund t’ju njoftoj se Grenada është shteti i nëntë që ka anuluar të gjitha vendimet e mëhershme në lidhje me statusin e Kosovës, që do të thotë njohjen e Kosovës si shtet i pavarur”, ka thënë Daçiqi, duke shtuar se tashmë ka pranuar edhe notën verbale nga shteti ishullor në Amerikën e Mesme.