Shefi i Grupit Parlamentar i LDK-së, Arben Gashi, ka folur pas prezantimit nga i dominuari për kryeministër nga kjo parti, Avdullah Hoti, raporton Ekonomia Online.
Gashi ka thënë se në këtë mbledhje kanë qenë të ftuar deputetët dhe anëtarët e kryesisë së kësaj partie.
“Patjetër të gjithë deputetë dhe anëtarët e kryesisë kanë qenë të ftuar, gjithashtu edhe Vjosa Osmani, por nuk ka qenë në mbledhje”, tha ai
“Programi jonë është qeverisës, dhe Gjykata i ka planet e veta, dhe Kushtetuesja i bën punën e saj ne tonën. Njëra prej shtyllave është dialogu dhe çdo qeveri e ka për detyrë që ti qaset kësaj. Pra njëra prej shtyllave është dialogu”, tha Gashi, raporton EO.
Ai po ashtu ka thënë se në momentin që të jep vendimin Gjykata Kushtetuese, ai do ta riaktivizojë ftesën për seancë të jashtëzakonshme.
“Java e ardhshme do ta gjej Kosovën me një qeveri të re. Ndoshta sot, ndoshta nesër merret vendimi. Jo nuk kemi informacion, por maksimalisht i ka 8 ditë i ka Gjykata Kushtetuese dhe besoj që e jap vendimin para 8 ditëve. Në momentin që të jep vendimin Gjykata Kushtetuese unë si shef i grupit do ta riaktivizojë ftesën për seancë të jashtëzakonshme, dhe normalisht do të caktoj ditën dhe orën. Dhe kjo nuk do zgjasë me shumë se 24 orë”, ka thënë Gashi.
Shefi i deputetëve të LDK-së, tha se prioritet i kësaj qeverie është luftimi i pandemisë dhe rimëkëmbja e ekonomisë.
“Projektet madhore infrastrukturore nuk janë prioriteti i parë i kësaj qeverie. Është luftimi i pandemisë dhe rimëkëmbja e ekonomisë, pra ajo mbetet pezull përderisa nuk e dimë se si do të jetë qasja e ekonomisë. Ne jemi të fokusuar në rimëkëmbjen e ekonomisë, pra na duhen projekte për rimëkëmbjen e ekonomisë”, tha ai.
Ndërsa për mos publikimin e marrëveshjes me Listën Serbe, Gashi tha se do të bëhet një gjë e tillë.
“Do të bëhet publike dhe ju siguroj se do të mbesni të befasuar”, tha Gashi.