Qeveria e Sllovakisë mbështet rrugën e Kosovës drejt integrimit në BE dhe liberalizimin e vizave

Prishtinë | 27 Shk 2020 | 19:50 | Nga Ekonomia Online

Ministri i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, gjatë ditës së sotme është takuar me Ministrin e Jashtëm të Sllovakisë, Miroslav Lajçak.

Konjufca bën të ditur se takimi është zhvilluar në Pragë para Konferencës së vendeve të Vishegradit dhe Ballkanit Perëndimor.

“Ndër tjera e kam falënderuar Ministrin Lajçak për mbështetjen që Sllovakia i ka dhënë procesit të integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian, si dhe për qëndrimin mbështetës rreth procesit të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës”.

“Gjithashtu kam theksuar se është me rëndësi që pesë vendet e Bashkimit Evropian përfshirë Sllovakinë, të lëvizin drejt njohjes së Republikës së Kosovës”.

“Nga ana tjetër Ministri i Jashtëm i Sllovakisë Lajçak ka theksuar se përkundër faktit që Sllovakia nuk e ka njohur Republikën e Kosovës, Qeveria e Sllovakisë e mbështet rrugën e Kosovës drejt integrimit në Bashkimin Evropian dhe liberalizimin e vizave”, ka shkruar Konjufca në rrjetin social Facebook.

Të ngjashme