Qeveria e Suedisë ka këshilluar të enjten qytetarët që të shprehin pakënaqësitë e tyre online, pasi me mijëra ishin mbledhur në kryeqendrën e Suedisë, duke mos respektuar distancën sociale, për të protestuar kundër racizmit dhe dhunës së policisë në SHBA, shkruan agjencia Reuters.
Protestuesit duke mbajtur parulla “Black Lives Matter” janë mbledhur për disa orë në shesh në zemër të Stockholmit të mërkurën pasdite për të treguar përkrahjen për George Floydin, afro-amerikanin nga Minneapolis që u vra nga policia.
Suedia ka ndaluar tubimet në publik të më tepër se 50 personave. Derisa numri i të vdekurve nga COVID-19 në Suedi është ulur që nga prilli, autoritetet shëndetësore në Suedi thonë se ende ka ngarkesë të sistemit shëndetësor.
Ministri i Punëve të Brendshme, Mikael Damberg, ka thënë se është e drejtë demokratike të protestohet, por ka thënë se rregullat nga Agjencia Shëndetësore duhet të respektohen.
“Unë i bëjë thirrje të gjithëve që duan të protestojnë kundër racizmit të përdorin mediat digjitale për këtë. Përndryshe, shumë njerëz rrezikojnë të sëmurën dhe të vdesin”, ka thënë Damberg.
Më tepër se 4500 persona kanë vdekur në Suedi nga koronavirusi i ri.
Afro-amerikani Floyd, që ishte i paarmatosur, vdiq pasi një polic i bardhë kishte shkelur në qafën e tij për gati nëntë minuta. Kjo ka nxitur protesta masive anti-racizëm në SHBA dhe nëpër shtete tjera të botës.