“Qeveria Haradinaj dëmtoi raportet më SHBA-në, Kosova mos t’i bllokojë projektet që do të vijnë”

Prishtinë | 11 Nën 2019 | 17:37 | Nga Ekonomia Online

Analisti i njohur politik, Shkëlzen Maliqi, ka theksuar se Qeveria Haradinaj me kokëfortësi ka dëmtuar raportet me SHBA’në rreth taksës 100 përqind, duke shtuar se Kosova nuk duhet t’i bllokojë projektet që do të vijnë nga ky vend aleat.

Në një intervistë të dhënë së fundi për ‘Epokën e Re’, Maliqi deklarohet rreth doalogut me Serbinë, duke thënë se kjo është një çështje që duhet të përfundohet, madje me njohjen e ndërsjelltë mes dy vendeve.

“Nuk do të kemi më dialog që konsistonte në normalizimin e marrëdhënieve dhe lehtësimin e komunikimit, tejkalimin e pengesave burokratike dhe të tjera me qëllim që të lehtësohet jeta e qytetarëve dhe të realizohen të drejtat e ndryshme. Tani do të punohet për zgjidhjen politike të çështjes kyçe, që normalizimit t’i vihet kapak me njohjen e ndërsjellë në mes të Kosovës dhe Serbisë ose, si një variant përkohësisht më i pranueshëm për Serbinë, që Kosovës t’i hapet rruga për anëtarësim në OKB edhe pa njohjen formale nga Serbia, sipas modelit të koekzistimit të dy shteteve gjermane në vitet ’70, që fillimisht edhe ka shërbyer si model për ta filluar dialogun Kosovë – Serbi, ka thënë ai.

Tutje, Maliqi ka shtuar se SHBA e ka vendosur rajonin e Ballkanit në agjentë të vet, dhe se Kosova duhet ta shfrytëzojë këtë rast, pasi që Washingtoni nuk mund të merret më tej me ‘punët e pakryera të Europës’.

“Së voni ShBA-ja e ka vendosur në agjendën e vet për rajonin dhe kjo nismë nuk mund të neglizhohet nëse, siç po thuhet, nga Washingtoni i kemi paralajmërimet se nuk duhet të humbet ky shans, sepse amerikanët mund ta humbin interesin që edhe më tej të merren me ‘punët e pakryera të Evropës”, tha ai.

Në fund, Maliqi ka përfunduar se Qeveria Haradinaj me kokëfortësi e shkurtpamësi dëmtoi raportet me aleatët kryesorë, dhe se Kosova në vazhdim duhet të përfundojë projektet e SHBA’së, në mënyrë që t’i ruajë mardhëniet me të.

“Qeveria Haradinaj me kokëfortësi dhe shkurtpamësi nuk e pranoi testimin e këtij opsioni duke pezulluar taksën, me çka u dëmtuan raportet tona me aleatët kryesorë perëndimorë. Sot situata është më e komplikuar, por duhet të kihet parasysh se edhe nëse negociatat e riprojektuara nuk sjellin rezultatet, duhet t’i ruajmë raportet e afërta me ShBA-në dhe fuqitë evropiane që e kanë njohur Kosovën”, përfundoi Maliqi.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme