Në Qeverinë e Kosovës janë përcaktuar të mos e zbatojnë një vendim të Agjencisë Kundër Korrupsionit, në të cilin është konstatuar se është i kundërligjshëm vendimi i ekzekutivit për rritje të pagave të kryeministrit, anëtarëve të kabinetit qeveritar dhe stafit tjetër politik, shkruan sot “Koha Ditore”.
Madje kanë përmendur imunitetin si mburojë për t’u fshehur pas këtij përcaktimi.
Një ditë më parë Antikorrupsioni ka konstatuar se zyrtarët e lartë publikë – kryeministri, zëvendëskryeministrat, ministrat dhe zëvendësministrat – që kanë votuar këtë vendim, “kanë vepruar në kundërshtim me Ligjin për parandalimin e konfliktit të interesit, konkretisht me konfliktin e interesit “rast për rast”, dispozitat e caktuara që rregullojnë “veprimet e ndaluara për zyrtarin e lartë”, si dhe me shumicën e dispozitave që përcaktojnë “parimet e veprimit dhe mosveprimit të zyrtarit të lartë publik”.
Aty është theksuar se Agjencia këtë rast nuk e ka trajtuar në aspekt të kompetencës së Qeverisë së Kosovës, të drejtën apo jo për rritje të pagave për atë sektor.