Qeveria Hoti është Qeveri sot për nesër
Prishtinë | 12 Tet 2020 | 12:59 | Nga Faton Abdullahu
- Qeveria Hoti pretendon se është Qeveri normale. Ajo hezitimin e saj po mundohet ta paraqes si korrektësi e korrektësinë si normalitet. Në të vërtetë ajo është Qeveri hezituese sepse nuk është as e guximshme dhe as unike. Pretendimi për të qenë normale në një rrethanë krejt jo normale është jo normalitet.
- Qeveria Hoti është Qeveri sot për nesër. Kjo determinohet nga fakti se është Qeveri minore. Kalimi i Ligjit për rimëkëmbje ekonomike vetëm pas shtatë pretendimeve në Kuvend tregon impotencën e saj politike. Si e tillë ajo po i rritë ambiciet e të gjitha partive që të bëhen gati për kombinime të tjera riformatime apo zgjedhje të parakohshme.
- Qeveria Hoti po mundohet ta zgjatë jetën e vetë në pushtet, apo thënë ndryshe, ta bëjë amortizimin e opozitarizmit, me oferta që i bën të gjithëve, sidomos PDK- së qoftë me riformatim të mundshëm, qoftë me çështjen e Presidentit. Në këtë drejtim Qeveria Hoti ka edhe prirje për oferta mashtruese.
- Qeveria Hoti është dëshmia më e mirë se si për një Qeveri në Kosovë nuk është e mjaftueshme vetëm të qenunit pro-amerikane. Askush nuk e ka kuptuar më ngushtë dhe më keq këtë rreshtim gjeopolitik në Kosovë sesa Qeveria Hoti.
- Qeveria Hoti është e bindur se nuk mund të vazhdoj kështu sikundër është, por është po aq e bindur se subjektet opozitare VV dhe PDK dallojnë shumë ndërmjet veti që të jenë bashkë kundër saj. Pa pikë dyshimi se kjo ja zgjatë jetën kësaj Qeverie.
- Kjo Qeveri deri sa ishte me VV-n (në të vërtetë si LDK) po aq sa ishte VV-ja, edhe ajo e përmendte dhe pretendonte se do ta luftoj korrupsionin. Lufta kundër korrupsionit ishte kryefjala e saj. Tani kjo Qeveri, konkretisht Kryeministri i saj krenohet se korrupsioni as që është më temë. Rrjedhimisht pretendohet se qenka punë e përfunduar.