Ministri i Financave dhe Transfereve, Hekuran Murati, e ka marrë edhe një goditje tjetër rreth çështjes së emërimit të Kryeinspektorit të Punës, Hekuran Nikçi dhe konkursit për zgjedhjen e Drejtorit të Përgjithshëm të ATK-së.
Gjykata Themelore e Prishtinës ka hedhur poshtë paditë e ushtruara nga Ministria e Financave kundër vendimeve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës të Shërbimit Civil (KPMSHCK), ka mësuar mediumi Paparaci.
Ky aktvendim erdhi kundrejt padisë që qeveria kishte ushtruar KPMSHCK-së për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit për këto dy pozita.
Gjykata ka kërkuar nga Ministria që të anulojë konkursin e shpallur për Drejtor të Përgjithshëm të ATK-së dhe gjithashtu, sipas vendimit, “obligohet kryeministri Albin Kurti, të e anuloj emërimin e Hekuran Nikçit, në krye të Inspektoratit të Punës”.
Sipas vendimit të gjykatës, shtyrja e këtij vendimi – siç ka kërkuar qeveria – do të shkaktonte dëme të dyfishta.
Këshilli i Pavarur Mbikëqyrjes i Shërbimit Civil më 14 korrik kishte vlerësuar se emërimi i Hekuran Nikçit në pozitën e kryeinspektorit të Punës nga Qeveria Kurti ishte bërë në mënyrë të kundërligjshme.
Po ashtu, ky këshill kishte konstatuar se procesi për zgjedhjen e drejtorit të ATK-së ishte zhvilluar në shpërputhje me ligjet në fuqi.
Kabineti qeveritar emërimin e këtij zyrtari të lartë e kishte bërë sipas Ligjit të Inspektoriatit, i cili parasheh se Kryeinspektori emërohet nga Qeveria me propozim të Ministrisë për Punë dhe Mirëqenie Sociale.
Në këtë mënyrë, Qeveria kishte anashkaluar Ligjin për Zyrtarët Publikë, i cili prej korrikut të vitit 2020, kur ka hyrë në fuqi, përcakton se nëpunësit civilë të kategorisë së lartë drejtuese duhet të zgjidhen sipas këtyre dispozitave të këtij ligji, të cilat kërkojnë se për këtë pozitë Ministria e Punëve të Brendshme duhet të shpallë konkurs.