Në mbledhjen e sotme, kabineti qeveritar ka aprovuar kërkesën e Presidentit të Republikës së Kosovës për riaktualizimin e Komisionit Qeveritar me qëllim të shqyrtimit të aplikacioneve të mbetura lidhur me Statusin e Dëshmorit të Kombit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ky komision do të shqyrtojë edhe rreth 100 aplikacione të mbetura deri me datën 23 dhjetor 2016.
Zëvendëskryeministri, Hajredin Kuçi njëkohësisht ka njoftuar se ka marr kërkesë nga presidenti për të shqyrtuar disa aplikacione, për të cilat supozohet se janë rreth 100 sosh.
”Kemi ardhur në përfundim që ky komision mund të funksionalizohet por vetëm për këtë çështje, dhe të përfundojë punën deri më 23 dhjetor të këtij viti”, ka përfunduar Kuçi.
Ndërkohë, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka thënë se Kosova rrezikon të mbetet pa liberalizim të vizave edhe në vitin 2017, në rast se nuk ratifikohet marrëveshja e demarkacionit me Malin e Zi.
Lidhur me këtë çështje Mustafa ka propozuar që të formohet një komision, i cili do të bëjë vlerësimin e territorit të Kosovës.
Gjithashtu, qeveria ka miratuar edhe kredinë nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZh), prej të cilës 24 milionë euro do të merren për Fondin e Depozitave.
U aprovua edhe vendimi për dhënien e Garancisë Shtetërore për marrjen e kredisë nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Linja e dytë Kreditore për Fondin për Sigurimin e Depozitave të Kosovës.
Qeveria e Kosovës, më tej, ka miratuar edhe vendimin për t’i rekomanduar Presidentit të Republikës së Kosovës për autorizimin e Ministrit të Financave për nënshkrimin e Marrëveshjes së Garancisë për FSDK-Linja e dytë kreditore për Fondin e Sigurimit të Depozitave të Kosovës.
Edhe Statuti i Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, ka marr aprovimin e kabinetit qeveritar. Statuti përcakton organizimin, të drejtat, detyrat, përgjegjësit dhe mënyrën e kryerjes së veprimtarisë së Fondit të Sigurimeve Shëndetësore.
Qeveria ka ndarë mjetet financiare për të mbuluar obligimet e Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare që dalin nga pjesëmarrja në procesin e dialogut në Bruksel.
Kryeministri Mustafa njoftoi kabinetin qeveritar për vizitën në Bruksel, me rastin e takimit të Lartë të Këshillit për Stabilizim Asociim, ku të pranishëm ishin edhe ministri i Jashtëm, Hoxhaj, ministri i Financave, ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, zëvendësministrja e Integrimeve Evropiane, Anila Statovci.
Ndërsa, ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, ka njohur kabinetin qeveritar me aktivitetet lobuese në Afrikë, Azi dhe Amerikën Latine me qëllim të rritjes së njohjeve ndërkombëtare të Republikës së Kosovës.
Ministri Hoxhaj tha se java e kaluar në Bruksel është një kaptinë e re e bashkëpunimit mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian.
“Takimi i parë i Këshillit për Stabilizim Asociim nën udhëheqjen e kryeministrit Mustafa dhe znj. Mogherini është një shpejtësi e re e lëvizjes së Kosovës në të ardhmen e saj evropiane dhe është një fuqizim i sovranitetit tonë në raport me Bashkimin Evropian, por edhe më shumë sesa në raport me Bashkimin Evropian. Natyrisht se për procesin e liberalizimit të vizave kusht i vetëm ka mbet ratifikimi i marrëveshjes. Këtë duhet ta di çdo qytetarë i Kosovës, nëse dëshirojmë që qytetarët e Kosovës të lëvizin pa viza drejt Evropës, përderisa Kosova ka bërë një progres të madh në plotësimin e të gjitha kritereve të tjera.
Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami, e ka informuar kabinetin qeveritar për publikimin e rezultateve të PISA 2015, që do të ndodhë më 6 dhjetor në tërë botën.