Kabineti qeveritar në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Kosovës ka diskutuar për Draft-Marrëveshjen Gjithëpërfshirëse dhe obligative-ligjore në mes të Republikës së Kosovës dhe Serbisë.
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj tha se qeveria do ti përkrah nevojat e delegacionit për bisedime me Serbinë, raporton Ekonomia Online.
“Tash ka një ndryshim ku është votuar rezoluta për delegacionin e dialogut. Qeveria në procesin e dialogut do të përkrah të gjitha institucionet. Ne do të vëmë në funksion gjithë aparatin e ekzekutivit në funksion të dialogut. Qëllimi ynë është rregullimi i marrëdhënieve mes dy vendeve. Tarifa për vendosjen e mallrave do të qëndroj deri në njohjen nga Serbia. Ky dokument përmban 16 kapituj të temave që përfshihen me Serbinë. Nga sot po ja delegojmë këtë proces delegacionit. Jemi të hapur që këtë materie ta ketë edhe presidenti. Ne nuk po i ikim përgjegjësisë”, ka thënë Haradinaj.
Këshilltari i kryeministrit, shef i delegacionit për bisedime teknike Avni Arifi tha se Kosova ka përmbushur marrëveshjet e Brukselit ndërkaq Serbia refuzon të implementoj marrëveshjet e arritura.
“Ne jemi përpjekur qe marrëveshjet e Brukselit ti qesim në binar. Qëllimi ynë ka qenë të mos hapen marrëveshje të reja deri të implementohen të vjetrat. Ne në Bruksel, në qershor kemi prezantuar të arriturat tona. Qeveria e Kosovës ka impelemntu të gjitha marrëveshjet, ndërkaq Serbia vazhdon të refuzoj marrëveshjet si ajo e energjisë. Ajo për arsye politike nuk njeh diplomat e qytetarëve, ajo refuzon të hap urën e Ibrit”, tha ai.
Ministri i Administratës Publike, Mahir Yagcilar tha se vendosja e taksës dhe formimi i ushtrisë janë hapa të mirë të Kosovës, raporton EO.
“Në parim e përkrah dokumentin e propozuar dhe do të jem pjesë e plotësimit të këtij dokumenti”, tha si.
Zv.kryeministri Enver Hoxhaj tha se me votimin e delegacionit fillon një dinamikë e re.
“Prej ditës kur është formuar delegacioni shtetëror do të jetë një dinamikë e re. Pikarritja jonë në dialog do të jetë anëtarësimi i Kosovës në OKB dhe njohja e ndërsjellët. Prej arritjeve më të rëndësishme të dialogut është qe Bashkimi Evropian ja ka bërë me dije Serbisë qe e ardhmja evropiane e saj kalon përmes Kosovës”, tha Hoxhaj.