Qeveria japoneze ka bërë dhurimin e pajisjeve mjekësore për kujdesin shëndetësor për nënat dhe fëmijët për ShSKUK-në, raporton Ekonomia Online.
Pajisjet e dhuruara ishin: Një mikroskop për laboratorin e Institutit të Patologjisë; Një mikroskop për laboratorin e Spitalit Rajonal të Gjilanit; Një mikroskop për laboratorin e Spitalit Rajonal të Prizrenit; Një inkubator transportues për Spitalin Rajonal të Gjakovës dhe një inkubator transportues për Spitalin Rajonal të Mitrovicës.
Dojan Molliqaj nga AMC, tha se ka qenë kënaqësi që të identifikojnë nevojat dhe të bëhet e mundshme dhënia e këtij donacioni.
Zëdhënësi i ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti tha se vazhdimisht shteti japonez ka ndihmuar në përmirësimin e infrastrukturës mjekësore.
“Pajisjet do ta kenë një ndikim pozitiv kurse bashkëpunimi me organizatat e shoqërisë civile është një shembull i mirë. Shteti i Japonisë i ka qëndruar afër Kosovës duke ndihmuar në përmirësimin e infrastrukturës mjekësore”.
“Përtej ndihmës financiare Japonia ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm ne si ministri e populli i Kosovës do ta vlerësojmë shumë”.
Tutje Hoti ka bërë thirrje për vaksinim të qytetarëve.
Drejtoresha e Patologjisë Rrina Limani tha se AMC-ja i ka mbështetur me donacione e me udhëzime.
“Faleminderit shumë për mbështetjen e institucioneve tuaja dhe të AMC-së”.
Ambasadori i Japonisë në Kosovë, Ogasaëara Mitsunori, tha se është kënaqësi që me këto pajisje po ndihmohen nënat dhe fëmijë.
“Para këtij projekti Spitali i Mitrovicës nuk do të kishte mundësi të transportit të fëmijëve në inkubator. Në Kosovë kanceri i qafës së mitrës është një nga kanceret më të shfaqura”.
“…shumë gra do të përfitojnë nga mikroskopët që identifikojnë kancerin e hershëm”, u shpreh ai.
Tutje ambasadori ka thënë se Japonia do të bëjë përpjekje për përmirësimin e jetës së qytetarëve në Kosovë, sidomos tash në pandemi, raporton EO.
“Shpresojmë ky bashkëpunim do t’i ofrojë njerëzit e dy vendeve më afër njëri-tjetrit”.
Drejtori i ShSKUK-së, Valbon Krasniqi tha se vlera e pajisjeve të dhuruar nga Japonia është 55 mijë euro.
“Jemi krenar që ju kemi këtu. Përmirësimi i jetës së nënave dhe të fëmijëve janë nga synimet tona strategjike të sistemit shëndetësor”.