Pushteti i është ekspozuar kritikave të pareshtuara të opozitës, për siç vlerësohet, dështime në pothuajse të gjitha fushat. PDK ka zgjedhur kësaj radhe të vlerësoj dëmin e këtij kabineti qeveritar që ia shkaktoi ekonomisë me mos tërheqjen e investimeve të huaja. Kryetari i Komisionit parlamentar për Ekonomi, Ferat Shala, ka vënë theksin në keq menaxhimin e ndërmarrjeve publike.
“Tek investitorët e jashtëm qeveria të vetmen shifër e ka kalkulimin e mërgatës dhe parasë që vjen mërgata në investime në Kosovë dhe kjo është mbi 70 për qind. Ky është investim në patundshmëri, që mërgata kanë sjellë para dhe kanë blerë patundshmëri, dhe qeveria si investitor të jashtëm po i trajton këta. Përndryshe, nuk e kemi asnjë investitor të jashtëm që ka ardhë dhe ka filluar të punojë diçka të re brenda këtij mandati qeverisës. Pra, ka një rënie të theksuar të investimeve dhe të interesimit të investitorëve të jashtëm si rezultat i një situate të burokracisë, papërgjegjësisë, jo atmosferës investive dhe luftës së madhe propagandistike për situatën e sigurisë që e ka bërë…Qeveria ka krijuar atmosferë të pafavorshme për bizneset”, tha Shala.
Edhe Driton Selmanaj i LDK-së, etiketon kryeministrin, Albin Kurti, i cili, sipas tij, e ka shtyrë vendin në labirinte me shumë të panjohura. Ai, nuk e kursen Qeverinë as për gabimet që ka bërë në dialog me Serbinë.
“Procesi i dialogut në katër vjetët e fundit ka qenë më jo transparent në krejt historinë e vet të dialogut. Mosgatishmëri për të ardhur për të raportuar, mosgatishmëri për të raportuar në komisione parlamentare, madje mosgatishmëri edhe për të dhënë deklarata publike për një proces delikat dhe kompleks. Në fund, përfunduam me dy marrëveshje, një në Bruksel dhe aneksin e Ohrit, që të dyja janë ndër marrëveshjet më të dëmshme që Kosova ka pranuar në historinë vet në negociata… Përfshirë edhe një draft-statut, i cili është krejtësisht i papranueshëm për Kosovën dolën si rezultat i këtyre negociatave të dëmshme që ka bërë kryeministri me asistentin e tij që është zëvendëskryeministër i vendit”, tha Selmanaj.
Kritik ndaj Qeverisë Kurti këtë fundjavëv ishte edhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, duke u ndalur enkas në mosparaqitjen ekryeministrit në Prokurorinë Speciale, e cila , sipas tij, është dëshmi se kryeministri nuk është në anën e ligjit, por në anën e të akuzuarve për korrupsion dhe vjedhje”./RTV21