Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, po qëndron për vizitë disa ditore në Greqi si pjesë e “Symi Simpoziuimit” në të cilën marrin pjesë politikanë progresisë e akademikë të shquar nga mbarë bota. Kurti po qëndron atje me familjen e tij.
Në një postim në Facebook të zëdhënësit të Qeverisë, Përparim Kryeiu, thuhet se në këtë simpozium pjesëmarrësit ftohen me familje dhe se shpenzimet e udhëtimit e të akomodimit i mbulojnë organizatorët.
“Është hera e katërt sivjet që Kryeministri Kurti po merr pjesë te Symi Simpoziumi ku politikanë progresistë e akademikë të shquar nga mbarë bota ftohen bashkë me familjet e tyre. Edhe vitin e kaluar sikurse sivjet simpoziumi po mbahet saktësisht në të njëjtin vend, në Lagonissi afër Athinës, dhe edhe kësaj radhe bashkëshortja e Kryeministrit merr pjesë në njërin nga panelet e simpoziumit. Shpenzimet e udhëtimit dhe akomodimit mbulohen nga organizatori i Simpoziumit”, shkruan Kryeziu.
Tutje Kryeziu ka treguar për takimet që Kurti kishte në Greqi.
“Gjatë qëndrimit në dy konferenca atje, Kryeministri Kurti zhvilloi takime të shumta me përfaqësues të lartë qeveritar dhe politik, ku duhen theksuar ai me Kryeministrin grek Mitsotakis, Ministrin e jashtëm Dendias dhe liderin e opozitës Tsipras, si dhe zëvendëspresidentin e Komisionit Evropian Schinas”, shkruan Kurti.
Në fund, zëdhënësi i Qeverisë ka shkruar se Kryeministri Kurti ka pasur një bisedë telefonike me kryetarin e Deçanit duke iu uruar të helmuarve shërim.
Postimi i plotë i Kryeziut:
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti është në vizitë zyrtare në Greqi që nga data 8 korrik. Ai ka udhëtuar në Athinë me ftesë të organizatorëve të dy konferencave të rëndësishme, në të cilat kryeministri Kurti ka qenë pjesë e panelit të diskutimit.
Fillimisht, me 9 korrik, kryeministri Kurti ishte pjesëmarrës në tryezën e rrumbullakët të organizuar nga “The Economist” dhe Qeveria e Greqisë. Aktualisht, po merr pjesë në Simpoziumin SYMI.
Sivjet është hera e katërt që kryeministri Kurti po merr pjesë në Simpoziumin Symi, ku politikanë progresistë e akademikë të shquar nga mbarë bota ftohen bashkë me familjet e tyre. Edhe vitin e kaluar, sikurse sivjet, simpoziumi po mbahet saktësisht në të njëjtin vend, në Lagonissi afër Athinës, dhe edhe kësaj radhe bashkëshortja e Kryeministrit merr pjesë në njërin nga panelet e simpoziumit. Shpenzimet e udhëtimit dhe të akomodimit mbulohen nga organizatori.
Postimet nga pjesëmarrja e kryeministrit Kurti në vitet e kaluara mund t’i shihni këtu:
Gjatë qëndrimit në dy konferenca atje, kryeministri Kurti zhvilloi takime të shumta me përfaqësues të lartë qeveritarë dhe politikë, sikurse ai me kryeministrin e Greqisë, z. Mitsotakis, ministrin e Punëve të Jashtëm, z. Dendias, ministrin e Mbrojtjes Kombëtare, z.Panagiotopoulos dhe liderin e opozitës, z. Tsipras, si dhe zëvendëspresidentin e Komisionit Evropian, z. Schinas dhe politikanë e diplomatë nga rajoni dhe bota.
Pas takimit të djeshëm me ministrin e Punëve të Jashtme, z.Dendias, kryeministri Kurti ka biseduar në telefon me kryetarin e Komunës së Deçanit, z. Ramosaj dhe me ministrin e Shëndetësisë, z.Vitia më të cilin bisedoi gjersa ai po qëndronte në Deçan. Dje në Deçan ishin edhe Presidentja e vendit, znj. Osmani, zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, znj. Gërvalla dhe ministri i Mbrojtjes, z. Mehaj.
Të helmuarve ju dëshirojmë edhe njëherë shërim të shpejtë. Po bëjmë gjithçka me të gjitha mundësitë, që së bashku të tejkalojmë këtë gjendje.