Qeveria Kurti rrit pagat e sektorit publik – 55 euro më shumë nga janari, 110 nga korriku

Prishtinë | 29 Tet 2024 | 12:48 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti tha se nga 1 janari i vitit të ardhshëm fillon rritja e pagave në sektorin publik, raporton Ekonomia Online. Këtë ai e bëri të ditur në një konferencë me ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati.

Kurti fillimisht ka paraqitur të arriturat e Qeverisë së tij, ku përmendi mbështetjen për prodhuesit dhe për familjet që sipas tij, ka ndikuar në rritjen e aktivitetit ekonomik dhe shtimin e vendeve të reja të punës.

Ai ka thënë se pagat janë rritur çdo vit, ashtu siç e parasheh edhe Ligji, ndërsa kësaj here nuk do të rritet koeficienti, por njësia e tij. Sipas tij, të gjithë punëtorët e sektorit publik do të marrin paga më të larta prej 50 euro nga janari dhe 110 nga korriku.

“Duke pasur parasysh nevojën për të mbështetur ata që kanë paga më të ulëta, ne kemi shkuar maksimumin e lejuar për rritjen e pagave. Nuk po e rrisim vlerën e koeficientit, por koeficientin për një njësi. Nga janari i vitit të ardhshëm, koeficienti do të rritet për 0.5 njësi dhe nga korriku për 0.5 njësi tjera. Pra, dikush që e ka koeficientin 5.6 i bëhet 6.1 në janar, ndërsa në korrik i bëhet 6.6. Të gjithë të punësuarit do t’u rriten pagat 55 euro nga janari, 110 në korrik”.

Ai më tej shtoi se ekonomisë së Kosovës çdo vjet shtohet nga 1 miliard euro “sivjet po e kalojmë 10 miliardshin e vitin tjetër do ta shtojmë 11 miliardshin”.

“Për vitin 2025 për shpenzim shënon nivelin 2.3 miliardë euro. Kjo nuk është bërë duke rritur tatimet për qytetarët madje kemi liruar edhe tatimet. Rritjen e të hyrave tatimore e kemi bër duke e luftuar kontrabandën”, tha Kurti.

“Për këto ktër vite, BPB është rritur sivjet dhe do ta kalojë 10 miliardë dhe pritet të shkojë 11 miliardë euro. Sivjet po e kalojmë 10 miliardë e vitin e ardhshëm do ta kalojmë 11 miliardhshin. Kemi shtim të vendeve të punës dhe aktualisht kemi 75 mijë vende të reja të punës”, tha Kurti.

“Me hyrjen në fuqi, vitin e ardhshëm do ta shtojmë buxhetin për paga. Rritja e koeficientit do të rritet vitin e ardhshëm. Rritjen për secilin vit duhet të jetë në vij me rritjen ekonomikë dhe fatmirësisht në qeverisjen tonë kemi treguar se dimë të qeverisim me zotnillëk”.

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:

Të nderuara media,

Të dashur qytetarë,

Për këto katër vite qeverisje kemi arritur që të bëjmë transformime rrënjësore që janë në të mirë të qytetarit. Njëri nga këto transformime është edhe buxheti i shtetit.

Përgjatë qeverisjes sonë, kemi arritur që të rrisim të hyrat buxhetore si asnjëherë më parë. Teksa po përgatisim buxhetin për vitin 2025, të hyrat buxhetore të projektuara janë 3.3 miliardë euro. Kjo është për 90% më e lartë sesa niveli në vitin 2020, para qeverisjes sonë, apo nëse e krahasojmë me vitin para-pandemik 2019, është 74% më e lartë.

Të hyrat më të larta na kanë mundësuar edhe buxhet më të lartë, pa e ngarkuar arkën e shtetit me deficit buxhetor apo me borxh publik. Për vitin 2025, buxheti i planifikuar për shpenzim shënon nivelin mbi 3.6 miliardë euro, që krahasuar me vitin 2020 është për 60% më i lartë.

Këtë rritje nuk e arritëm duke rritur shkallët tatimore e duke ngarkuar qytetarët me më shumë tatim. Madje, tatimin edhe e zvogëluam duke e liruar pagën minimale nga tatimi në të ardhura personale, ku si rezultat secili i punësuar, qoftë në sektorin publik qoftë në atë privat, në fund të muajit ka edhe pak më shumë para në xhep.

Rritjen e të hyrave buxhetore e kemi arritur duke luftuar kontrabandën e duke shtrënguar kontrollin e kufijve tanë. Rritjen e të hyrave e kemi arritur duke e shtrirë barrën tatimore edhe tek ata që në të kaluarën konsideroheshin si më të fortë se shteti, e shteti nuk guxonte t’u shkonte te dera për t’ua kërkuar tatimin.

Por më së shumti, rritjen e të hyrave e kemi arritur duke mbështetur rritjen e qëndrueshme të ekonomisë së vendit tonë. Në njërën anë, duke mbështetur bizneset e prodhuesit që ata të krijojnë vende të reja të punës, ndërkaq në anën tjetër duke rritur mbështetjen për familjet që ato të rrisin aktivitetin ekonomik dhe të përforcojnë edhe më tej qarkun ekonomik të shtimit të vendeve të reja të punës, sepse më shumë kërkesë e më shumë aktivitet rezulton në nevojë për më shumë vende pune.

Për këto katër vjet qeverisje, Bruto Produkti Vendor është rritur aq sa për herë të parë sivjet do të tejkalojë shifrën prej 10 miliardë eurove, kurse për vitin e ardhshëm pritet të shkojë përtej 11 miliardë euro. Pra, po vazhdon trendi ku me qeverinë tonë ekonomisë së Kosovës i shtohen nga 1 miliard euro në vit. Në vitin 2020 Bruto Produkti Vendor ishte vetëm 6.7 miliardë, e në vitin para-pandemik 2019, ishte vetëm 7 miliardë euro. Sivjet po e kalojmë 10 miliardëshin, e vitin e ardhshëm do ta kalojmë 11 miliardëshin.

Kjo rritje ekonomike ka qenë edhe gjithëpërfshirëse, sepse për herë të parë kemi edhe shtimin konsistent të vendeve të punës krahas rritjes ekonomike. Pra, për secilin vit të qeverisjes, kemi shtim pozitiv të vendeve të reja të punës dhe deri më tani janë mbi 75 mijë vende të reja pune të regjistruara sipas shifrave zyrtare.

Pra, jemi munduar që paratë e mbledhura në buxhet, përsëri t’i kthejmë te qytetari, qoftë në shërbime më efikase publike, qoftë si mbështetje shtesë për familjet. E kjo pastaj na është kthyer në më shumë rritje të ekonomisë, e rrjedhimisht edhe në më shumë buxhet.

Prandaj edhe jemi të përkushtuar që ta vazhdojmë këtë formulë të suksesit, ku buxheti vihet në shërbim të qytetarit, e jo të një grupi të vogël interesi siç rëndom ndodhte në të kaluarën.

Dy muaj më parë, për 3 vjetorin e lansimit të programit të shtesave për fëmijë, prezantuam edhe skemën e ridizajnuar, e cila dyfishon e në rastet me tre e më shumë fëmijë edhe trefishon të ardhurat për familjen nga shtesat. Kjo e sjell totalin vjetor të mbështetjes për familjen në 120 milionë euro, apo 60 milionë euro më shumë se që ishte tre muaj më parë.

Në fillim të këtij muaji, prezantuam edhe rritjen e pensioneve për të gjitha kategoritë për së paku 20%, që përkthyer në vlerë monetare i bie 100 milionë euro në vit më shumë për pensionistët tanë.

Dhe tani, teksa po e finalizojmë ligjin e buxhetit për vitin e ardhshëm, kemi edhe një lajm të mirë për të gjithë punonjësit e sektorit publik.

Me hyrjen në fuqi të ligjit të pagave në sektorin publik, në vitin 2023 kemi pasur rritjen më substanciale në dekadën e fundit, duke e shtuar buxhetin e pagave për 114 milionë euro. Edhe në vitin 2024 aplikuam rritjen e koeficientit duke e ngritur atë nga 105 në 110 euro. Ndërsa tani në vitin 2025, do të jetë viti i tretë që i rrisim pagat radhazi.

Pra, përderisa në të kaluarën pagat rriteshin vetëm një herë brenda mandatit, dhe atë vetëm në fushatë, me qeverisjen tonë të mirë e demokratike po rriten në secilin vit që nga hyrja në fuqi e ligjit të pagave, ashtu siç e parasheh edhe ligji.

Një gjë duhet theksuar, që rritjen për secilin vit, e kemi bërë dhe po vazhdojmë ta bëjmë në përputhje me atë që e parasheh ligji për financat publike. Pra rritja e pagave duhet të jetë në linjë me rritjen ekonomike, sepse përndryshe financat e shtetit mund të hyjnë në shtegun e paqëndrueshmërisë në afatgjatë, dhe kjo do të ishte një papërgjegjësi.

Por fatmirësisht, gjatë këtyre viteve në qeverisje ne edhe e kemi dëshmuar që dimë të sillemi me nikoqirllëk me paranë publike, por edhe e kemi rritur ekonominë. Këto të dyja bashkë, na kanë mundësuar që edhe për vitin e ardhshëm të bëjmë një rritje substanciale të pagave në sektorin publik, gjithnjë duke ruajtur qëndrueshmërinë afatgjatë të buxhetit, si dhe duke qenë në përputhje me kornizën ligjore në fuqi.

Tani, te tema që të gjithë e presin, sa do të jetë koeficienti.

Duke pasur parasysh nevojën për të mbështetur më së shumti ata që kanë paga më të ulëta, sidomos në këto kohë kur i gjithë globi po përballet me kosto të rritur të jetës, ne kemi shkuar në maksimumin e lejuar të rritjes buxhetore për pagat, dhe njëkohësisht kemi vendosur që të mos e rrisim vlerën e koeficientit, por ta rrisim koeficientin për një njësi, për secilin punonjës të sektorit publik.

Pra, vlera e një koeficienti mbetet 110 euro, mirëpo rritet sasia e koeficientëve për një njësi, duke filluar nga janari i vitit të ardhshëm për 0.5 njësi, pra për gjysmë njësie, dhe pastaj nga korriku i vitit të ardhshëm edhe për 0.5 njësi të tjera. Me fjalë tjera, dikush që e ka koeficientin 5.6, në janar i bëhet 6.1, kurse në korrik koeficienti i bëhet 6.6. Ngjashëm edhe për dikë që ka koeficientin 10.5, nga janari i bëhet 11.0, kurse nga korriku i bëhet 11.5.

Shprehur në vlerë monetare, i bie që të gjithë të punësuarit në sektorin publik, pagat për ta do të rriten për 55 euro duke filluar nga janari, dhe për 110 euro nga muaji korrik i vitit të ardhshëm 2025.

Në këtë mënyrë, rritjen buxhetore e shpërndajmë mbi-proporcionalisht tek ata që kanë pagat më të ulëta, duke zvogëluar kësisoj edhe më tej hendekun në mes të pagës më të lartë dhe asaj më të ulët.

Pra, për mësuesin, policin, ushtarin, infermierin, zjarrfikësin, rritja në përqindje do të jetë rreth 18-20%, kurse për pozitat më të larta rritja në përqindje do të jetë 6-7%.

Kostoja e plotë vjetore e kësaj rritjeje do të jetë rreth 120 milionë euro, e që bashkë me rritjen që kemi bërë për pensionet dhe për shtesat e fëmijëve, e sjell totalin në 280 milionë euro më shumë para në xhepat e qytetarëve vetëm nga këto 3 masa.

Si qeveri për të gjithë, do të vazhdojmë të punojmë edhe më tej, që buxhetin e shtetit ta shfrytëzojmë në të mirë të të gjithë qytetarëve.

Ju faleminderit!

Të ngjashme