Qeveria e Kosovës ka nisur konsultimet me partitë politike për procesin e vettingut.
Në një komunikatë dërguar mediave pas takimit me kryetarin e PDK-së, Memli Krasniqi, Qeveria ka thënë se edhe nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë marrë konfirmim për takim, kurse sipas komunikatës Lidhja Demokratike e Kosovës ka deklaruar së do ta japin kontributin e tyre në Kuvend.
“Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka konfirmuar takimin me Kryeministrin Kurti, ndërsa nga Lidhja Demokratike e Kosovës kanë deklaruar se do të japin kontributin e tyre në Kuvendin e Kosovës”, thuhet në komunikatën e Qeverisë.
Qeveria e Kosovës ka miratuar Koncept Dokumentin për zhvillimin e procesit të vetingut në Sistemin e Drejtësisë, si dhe ka përgatitur draftin e amendamenteve kushtetuese dhe projektligjin për vetingun në sistemin e drejtësisë.
“Duke pasur parasysh rëndësinë e këtij procesi, respektimin e standardeve evropiane, si dhe të drejtat e njeriut, Ministria e Drejtësisë, kishte dërguar kërkesë në Komisionin e Venecias, me qëllim të dhënies së opinionit për Koncept Dokumentin për vetingun në sistemin e drejtësisë dhe draftin e amendamenteve kushtetuese. Më datë 17 qershor 2022, Komisioni i Venecias ka miratuar Opinionin për vetingun”, thuhet në njoftim.