Lejet për ndërtimin e apo riparimin e banesave që janë dëmtuar nga tërmeti do të jepen me procedurë të përshpejtuar.
Një vendim i marrë në mbledhjen e fundit nga këshilli i ministrave detyron autoritetet shtetërore që të miratojnë brenda 5 ditëve nga aplikimi të gjitha lejet e ndërtimit për banesat e shkatërruara apo dëmtuara nga tërmeti.
Sipas vendimit, komptencën për të miratuar këto leje do ta ketë kryetari i bashkisë brenda territorit administrativ ku kërkohet leja. Por si duhet të aplikojnë qytetarët, banesat e të cilëve janë dëmtuar?
Në vendim qeveria ka përcaktuar se aplikimet për leje paraqiten nëpërmjet sistemit elektronik nga ana e Institutit të Ndërtimit, bashkisë përkatëse apo projektuesve të licencuar.
Veç procedurës së përshpejtuar për miratimin e lejes qeveria ka thjeshtuar edhe dokumentacionin që duhet të dorëzojnë qytetarët, banesat e të cilëve janë dëmtuar nga fatkeqësitë natyrore, raporton Tch.
Sipas vendimit, dokumentacioni i vetëm që duhet të paraqitet nga aplikuesi është akti i konstatimit për objektin e dëmtuar si dhe projekti teknik të hartuar nga Instituti i Ndërtimit, bashkia ose projektuesit e licencuar.
Ky vendim i qeverisë vjen pas tërmetit të fuqishëm të 26 nëntorit, i cili ka dëmtuar rreth 1100 pallate dhe mbi 6800 banesa private duke nxjerrë të pastrehë më shumë se 14 mijë vet. Qeveria thotë se do të alokojë mbi 20 miliardë lekë në buxhetin e vitit të ardhshëm për programin e rindërtimit.